
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë me ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan, në ceremoninë e inaugurimit për fillimin e pontifikatit të Papa Leo XIV, si dhe në audiencën e zhvilluar nga Papa me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga e gjithë bota.
Në ceremoninë e fillimit zyrtar të shërbesës papnore morën pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë dhe liderë fetarë nga vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrja e Kryetarit të KMSH-së në këtë aktivitet përfaqëson një shprehje të qartë të angazhimit të institucionit për nxitjen e bashkëjetesës paqësore, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve fetare.
Gjatë ditës së sotme, H. Bujar Spahiu ishte gjithashtu i pranishëm në audiencën e mbajtur nga Papa Leo XIV me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare. Kjo audiencë përbën një moment të veçantë në nxitjen e dialogut për paqe, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërfetar në nivel global.
Në kuadër të kësaj vizite, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të rëndësishëm të komuniteteve fetare nga mbarë bota, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërfetar për promovimin e paqes dhe harmonisë në shoqëri.
Pjesëmarrja e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në këto aktivitete ndërkombëtare thekson edhe njëherë përkushtimin e institucionit ndaj promovimit të vlerave universale të paqes, solidaritetit dhe respektit njerëzor, në përputhje me mësimet islame, si dhe duke përcjell traditën e bashkëjetesës ndërfetare që ka karakterizuar shoqërinë shqiptare.
Shqipëria, e njohur për modelin e saj unik të bashkëjetesës fetare, vijon të jetë një shembull frymëzues për vendet e tjera, duke treguar se respekti, mirëkuptimi dhe dialogu ndërfetar janë të mundur dhe të dobishëm për paqen dhe zhvillimin shoqëror.