Ambasadorja e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Sh.S.Znj. Monika Zach, zhvilloi një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga Kryetari i institucionit, H. Bujar Spahiu.

Kryetari Spahiu i uroi ambasadores mirëseardhjen dhe suksese në përmbushjen e misionit të saj diplomatik në vendin tonë. Më tej, ai e njohu atë me organizimin, historikun dhe kontributin e Komunitetit Mysliman në jetën fetare, shoqërore dhe atë kulturore të Shqipërisë ndër vite.

Një nga pikat kyçe të diskutimit ishte bashkëjetesa fetare, një vlerë e çmuar e shoqërisë shqiptare, që u vlerësua edhe nga Ambasadorja Zach si një model për t’u ndjekur.

Bashkëbisedimi ndërmjet tyre preku edhe edukimin fetar në shkollat publike, ku Ambasadorja ndau përvojën e Austrisë në lidhje me integrimin e këtij edukimi në sistemin arsimor publik, duke theksuar rëndësinë e njohjes dhe respektimit të besimeve në një shoqëri pluraliste.

Ambasadorja Zach e cilësoi Shqipërinë si një vend mik të Austrisë, pavarësisht distancës gjeografike, duke e përshkruar marrëdhënien mes dy vendeve si atë të fqinjëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë.

Takimi vijoi me diskutime mbi çështje aktuale që preokupojnë vendin dhe rajonin, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë