Universiteti “Mohammed Bin Zayed” në Abu Dhabi organizoi konferencën shkencore me temë “Shtetësia, Identiteti dhe Vlerat e Përbashkëta të Bashkëjetesës”, një ngjarje e rëndësishme akademike dhe ndërfetare që mblodhi personalitete të njohura nga bota akademike, fetare dhe institucionale nga mbarë bota për të reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëjetesës në shoqëritë moderne.

Në këtë konferencë mori pjesë me ftesë zyrtare nga Universiteti “Mohammed Bin Zayed” edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili ishte moderator i sesionit me temë “Respektimi i Diversitetit: Vlerat e Njohjes dhe Pranimit”, si dhe mbajti referimin e tij mbi rolin e shtetësisë dhe identitetit në ndërtimin e bashkëjetesës sociale dhe paqes ndërfetare.

Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu theksoi se “shtetësia nuk është vetëm një dokument apo lidhje ligjore, por një vetëdije e thellë për përkatësinë dhe një angazhim i ndërgjegjshëm ndaj përgjegjësive shoqërore.” Ai shtoi se identiteti nuk është një gjendje statike, por një proces ndërveprimi i vazhdueshëm mes kulturës dhe hapjes, ndërsa pluralizmi nuk është kërcënim për unitetin, por pasuri për shoqërinë.

Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Kryetari i KMSH-së zhvilloi edhe takime dypalëshe me përfaqësues të ndryshëm të institucioneve akademike, fetare dhe qeveritare, pjesëmarrës në konferencë, duke diskutuar për mundësi bashkëpunimi dhe shkëmbime në fushën e arsimit, dialogut ndërfetar dhe nismave të tjera.

Konferenca, e zhvilluar më 15 dhe 16 Prill 2025, përfshiu diskutime mbi temat kyçe si shtetësia dhe përkatësia në botën moderne, dialogu ndërkulturor, si dhe sfidat dhe mundësitë e bashkëjetesës në shoqëritë multikulturore. Në të morën pjesë akademikë, përfaqësues fetarë dhe liderë të mendimit nga Lindja e Mesme, Evropa, Azia dhe SHBA.

Gjatë kësaj konference Kryetari i KMSH-së shoqërohej nga Drejtori i Kabinetit z. Aurel Çani.

Konferenca synoi të trajtonte konceptin e shtetësisë, duke shqyrtuar ndikimin e globalizmit, fundamentalizmit dhe hapësirës digjitale në identitetin kombëtar. U diskutua gjithashtu roli i edukimit dhe institucioneve fetare në promovimin e bashkëjetesës, ndërthurja mes shtetësisë dhe mendimit fetar, si dhe të ardhmen e shtetësisë në raport me zhvillimet sociale dhe ekonomike.

*𝑀𝑒̈ 𝑝𝑜𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑗𝑢 𝑓𝑡𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑙𝑒𝑥𝑜𝑛𝑖 𝑓𝑗𝑎𝑙𝑒̈𝑛 𝑒 𝑝𝑙𝑜𝑡𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝐾𝑟𝑦𝑒𝑡𝑎𝑟𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝐾𝑀𝑆𝐻-𝑠𝑒̈, 𝐻. 𝐵𝑢𝑗𝑎𝑟 𝑆𝑝𝑎ℎ𝑖𝑢:

Të pranishëm të nderuar,

Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju,

E hapim këtë seancë shkencore duke u mbledhur rreth tryezës së mendimit dhe dialogut, për të trajtuar tema që janë ndër çështjet më të rëndësishme dhe me ndikim të thellë në formësimin e ndërgjegjes shoqërore dhe njerëzore, e ato janë: Shtetësia dhe identiteti, dhe Vlerat e Bashkëjetesës.

Shtetësia nuk është një mbyllje ndaj vetes, por është vetëdije për përkatësinë që përfshin njeriun në njerëzoren e tij. Shtetësia e vërtetë nuk është thjesht një lidhje ligjore, por një angazhim i vetëdijshëm ndaj përgjegjësive të njeriut ndaj shoqërisë dhe atdheut të tij.

Shtetësia nuk është vetëm një dokument që lidh njeriun me vendin e tij, por është vetëdije për përkatësinë, ndjenjë përgjegjësie dhe praktikim i gjallë i vlerave të drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit.

Po ashtu, identiteti nuk është një gjendje e ngurtë apo një kornizë e mbyllur, por një ndërveprim i vazhdueshëm mes veçorisë kulturore dhe hapjes ndaj botës, mes qëndrueshmërisë dhe përditësimit, mes vetes dhe tjetrit.

Dhe nëse sot shoqëritë karakterizohen nga shumëllojshmëria kulturore dhe e vizioneve, atëherë kemi më shumë se kurrë nevojë për të forcuar vlerat e pluralizmit, njohjes dhe pranimit të tjetrit.

Pluralizmi nuk është kërcënim për unitetin shoqëror, por është burim pasurie dhe begatie. Njohja e tjetrit nuk do të thotë shkrirje, por respekt për diversitetin; pranimi nuk do të thotë nënshtrim, por njohje e dinjitetit të njeriut, cilido qoftë besimi, prejardhja apo ngjyra e tij.

Në një kohë kur po dëgjohen gjithnjë e më shumë zëra që thërrasin për përjashtim, vlerat e pluralizmit, njohjes dhe pranimit të tjetrit shfaqen si themele të domosdoshme për ndërtimin e paqes shoqërore dhe aktivizimin e potencialeve të kombit.

Le t’ia japim fjalën dijes, dhe le ta bëjmë këtë seancë tribunë për reflektim dhe afrim të ndërsjellë.

Le ta shndërrojmë këtë konferencë të bekuar në një hapësirë për dialog të përgjegjshëm, një fushë për meditim të thellë, me shpresën që të kontribuojmë në forcimin e një vetëdijeje gjithëpërfshirëse, të një shoqërie të pjekur dhe të një njeriu më të hapur dhe më paqësor.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë