
Një delegacion ndërkombëtar akademikësh zhvilloi dje një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga kryetari H. Bujar Spahiu dhe bashkëpunëtorët e tij.
Delegacioni ndodhet në Shqipëri në kuadër të një programi Erasmus+ me temë: “Përballja me Sfidat Globale: Edukimi për Mjedisin dhe Paqen nëpërmjet Bashkëpunimit Ndërfetar në Trajnimin e Mësuesve të Fesë”, një bashkëpunim akademik midis Universitetit Bedër dhe universiteteve prestigjioze nga Gjermania, Austria, Spanja dhe Malajzia.
Aktiviteti bashkon studiues, pedagogë dhe përfaqësues komunitetesh fetare nga vende të ndryshme, me qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet mjedisore dhe të paqes nëpërmjet edukimit dhe arsimit.
Pas takimit me kryetarin Spahiu, i cili e njohu delegacionin me rolin e KMSH-së gjatë një shekulli për kontributin e tij në paqen sociale dhe ruajtjen e vlerave universale, islame dhe kombëtare për një shoqëri të shëndetshme, delegacioni ka vijuar me disa sesione pune të projektit Erasmus, zhvilluar në ambientet e KMSH-së, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e universiteteve për edukimin e brezave të rinj me vlerat e përbashkëta për ruajtjen e mjedisit dhe ekologjisë.
Ky takim i nivelit të lartë vjen si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të integruar vlerat ndërfetare dhe edukimin për qëndrueshmëri në politikat dhe praktikat arsimore në Europë dhe më gjerë.
Projekti vjen si një partneritet midis 5 universiteteve nga vende të ndryshme të botës si:
* Kolegji Universitar Bedër, Shqipëri)
* Universitat Internacional de Catalunya (UIC Barcelona) (Universiteti Ndërkombëtar i Katalonjës – UIC Barcelona, Spanjë)
* Universität Augsburg (Universiteti i Augsburgut, Gjermani)
* International Islamic University Malaysia (IIUM) (Universiteti Ndërkombëtar Islam i Malajzisë, Malajzi)
* KPH Wien/Krems – Kirchliche Pädagogische Hochschule Wien (Kolegji Pedagogjik i Kishës Vjenë, Austri.






