Gjatë turit të vizitave nëpër xhamitë e myftinisë, dje në xhaminë e fshatit Sukth-Vendas, rrethi Krujë, pata kënaqësinë dhe nderin të njoh xhematliun më të vjetër të kësaj xhamie dhe ndër më të vjetrit në rang rrethi e vendi, Halil Jangozi, ose Xha Halili siç e thërrasin.

Xha Halili pa ekzagjerim është një ndër njerëzit më të ëmbël që kam njohur. Në aq pak kohë na la aq shumë mbresa, sa zemra e një besimtari e ka të pamundur të mos rrahë fort nga gëzimi kur e shikon Xha Halilin.

Për sa minuta ishim aty, nuk e mbajti vendi. Mezi kishte pritur të takohej me “myftiun e ri”. Kur e kishte marrë vesh që ne ishim aty kishte nxituar me aq sa mundej dhe ishte lodhur nga rendja, por vetëm buzëqeshte dhe na përqafonte. Gjithë kohës u kujdes për ne si për fëmijët e tij, na solli mjaltë, fruta, ujë e një zemër të madhe sa vetë bota.

Xha Halili ka kaluar një infarkt më parë, ka një dhimbje të madhe në njërin gju, por asgjë nuk e ndalon të rendë drejt Zotit të tij për çdo vakt namazi.

Ka një jetë që kujdeset për xhaminë e fshatit të tij, pa komplekse protagonizmi e pronësie, pa komplekse prej imami të vetëshpallur, pa shqetësimin për të “shtënë në dorë” këtë apo atë xhami.

Nuk mund të mos e admiroja dhe çdo fjalë që mund të thoja në lidhje me aktivitetin fetar, unë apo kushdo tjetër, do të kishte qenë e tepërt para një robi të Allahut si Xha Halili.

Para se të ndaheshim deshi të ndante me ne një shqetësim.

– Urdhëro. – i thamë.

– Rruga në këmbë për në xhami nga shtëpia është afërsisht një gjysmë ore, ndërsa unë e bëj për 45 minuta. Në kohë të ndryshme të vitit vaktet janë shumë afër me njëri-tjetrin dhe meqë unë jam i ngadaltë, mund të mos e arrij vaktin e namazit në kohë. Prandaj, me veten time kam gjetur një zgjidhje që nuk e di a më lejohet ta bëj apo jo? – na tha.

– Çfarë zgjidhjeje ke gjetur? – i thamë.

– Vi në xhami për jaci për shembull dhe fle këtu natën që ta kem të sigurt me lejen e Allahut se do ta fal sabahun në xhami. Ose nga dreka në ikindi, e kështu me radhë. A bëj gabim?  – na pyeti.

Një lëmsh me lot na u mblodh në grykë dhe nuk gjetëm fjalë t’i përgjigjeshim përveçse t’i luteshim Allahut për Xha Halilin.

Teksa po ndaheshim, mu drejtua e më tha:

– Hajde e më vizito shpesh e shpejt, se nëse vonohesh mund të më gjesh aty jashtë poshtë dritares. “Aty jashtë poshtë dritares” ishin varrezat. Por betohem në Allah që Xha Halili nuk kishte asnjë lloj mërzie kur e tha këtë.

– Mua më ka ardhur koha – tha – dhe kur Allahu ta ketë caktuar të shkoj nuk do të mërzitem dhe nuk do të bëj naze aspak, sepse edhe unë mezi pres ta takoj Krijuesin tim, kështu që hajde sa më shpejt të më vizitosh sërish.

Ah, se desh harrova, Xha Halilit nuk i kishte mbetur asnjë vend në Shqipëri, përveç Tropojës dhe Vlorës, ku nuk kishte shkuar për t’i ftuar njerëzit se nuk ka zot tjetër veç Allahut (xh.sh) dhe se Profeti Muhamed (a.s) është rob dhe i dërguari i tij.

Nuk munda të them më asnjë fjalë…

 

Nga Ermir Gjana, Myfti i Krujës