Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hapur dyert sot paradite për të pritur urimet e krerëve të shtetit, drejtuesve të institucioneve qendrore, përfaqësuesve të subjekteve politike, trupit diplomatik, personaliteteve të jetës publike dhe të ftuarve të ndryshëm me rastin e Fitër Bajramit.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përmes një mesazhi uroi të gjithë besimtarët për festën e Bajramit. “Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundmë dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit. Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobëtëve dhe të varfërve. Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Presidentit Nishani.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në urimin e saj theksoi se muaji i Ramazanit, që kurorëzohet me Bajramin e Madh, simbolizon sakrificën, përkushtimin e besimtarëve dhe solidaritetin me njëri-tjetrin. “E vërteta është se sakrifica e muajit të Ramazanit nuk është vetëm një detyrë e shenjtë, ajo është një mësim i fuqishëm jo vetëm për myslimanët, por për çdo qytetar të kësaj bote për të kuptuar dhe vepruar me sakrifica. Sot sakrifica e të gjithë atyre që agjëruan, burra gra vajza djem, nderohet dhe kurorëzohet me këtë festë në këtë ditë të bekuar”, tha znj. Topalli në mesazhin e saj.

Ndërkohë, në emër të qeverisë së re dhe të kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë përcolli urimin zv/kryeministri i ardhshëm, Niko Peleshi.
“Në emër të Kryeministrit Rama dhe qeverisë së re dua të uroj myslimanët shqiptarë brenda vendit dhe në trevat jashtë tij, gëzuar festën e bukur të Bajramit. Ditët e bukura dhe të gëzuara si Bajrami vijnë pas sakrificave. Le t’i qëndrojmë këtij mesazhi sa hyjnor aq edhe njerëzor duke pritur ditët e begata që presin të gjithë shqiptarët”, u shpreh Peleshi.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, pasi uroi besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, vlerësoi sakrificën e atyre që kanë agjëruar duke i uruar që kjo sakrificë t`u kthehet në mirësi.

“Pas sprovës së Ramazanit, sot besimtarët myslimanë festojnë Bajramin dhe me këtë rast dua t`u uroj gëzuar dhe sakrifica e agjërimit dhe e lutjeve t`u kthehet në mirësi, begati dhe dritë për ata personalisht dhe familjet e tyre, për Shqipërinë dhe gjithë kombin shqiptar”, theksoi Basha.

Gjithashtu, për të uruar festën e Bajramit në selinë e KMSH-së erdhën ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, deputetë, politikanë, drejtues të njësive bashkiake të kryeqytetit dhe drejtues komunalë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë.

Pjesë e kësaj feste u bënë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitete të njohura të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh qytetarësh e besimtarësh të kryeqytetit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon të gjithë ata që morën pjesë në këtë ceremoni si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj feste.

Vizitat ne KMSH (4)

Vizitat ne KMSH (2) Vizitat ne KMSH (1)Vizitat ne KMSH (3)