genti kruja (1)

Komuniteti Mysliman- Myftinia Elbasan, në bashkëpunim me Zyrën e Këshilltarit të Çështjeve Fetare në Ambasadën e Turqisë, organizuan një simpozium me temë ”Profeti Muhamed a.s. Krenaria e Njerëzimit”.

Simpoziumi u hap me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Elbasanit z. Agim Duka, i cili pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, u shpreh se profeti Muhamed a.s., është, ka qenë dhe do të mbetet shembulli dhe krenaria e gjithë njerëzimit.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Drejtori i Kulturës në KMSH Genti Kruja, i cili pasi përcolli përshëndetjet e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Haxhi Sleim Muça, foli mbi familjen sipas Kur’anit dhe shembullit profetik.

Ai theksoi se familja është bërthama e shoqërisë dhe si e tillë duke ndjekur shembullin e Profetit Muhamed a.s., shoqëria do të jetë më e mirë. “Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të res­pektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe de­tyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është edhe shoqëria. Nëse kërkojmë që fëmijët tanë të bëhen të vyer, që të jetojnë të nder­shëm, duhet të bëjmë çmos që shembullin e kë­saj ata ta marrin në shtëpi, duke u bërë ne shembujt e tyre. Ndërsa për heronj të kenë Profetin Muhamed a.s., Hz. Omerin, Halid bin Velidin e shumë sahabë të tjerë në vend të falsiteteve si Spiderman-i, Superman-i e Babagjyshi i përrallave pa vlera”, nënvizoi z. Kruja.

Ai gjithashtu shtoi se përsosmëria e një kombi dhe e një shoqërie nis nga fami­lja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët.

elbasan simpozium (1)Në kuadër të binjakëzimit të qyteteve të Elbasanit dhe Nigde (Turqi) ishte ftuar të referojë edhe Myftiu i Nigdes z. Hasan Cinar, i cili foli mbi shembullin e Profetit Muhamed a.s. Ai theksoi se rinia e sotme, duhet të jetë sa më pranë besimit dhe moralit të fesë islame.

Ai gjithashtu tha se profeti Muhamed a.s. është një shembull i pashoq që jo vetëm besimtarët myslimanë, por i gjithë njerëzimi duhet ta ndjekë. Myftiu Cinar la gjithashtu një porosi shumë të çmuar të cilën kërkoi që gjithsecili t’ia transmetojë të tjerëve:

1- Nxitoni në pendim

2- Nxitoni në namaz

3- Nxitoni të lani borxhin

4- Nxitoni të martoheni

5- Nxitoni të falni xhenazen.

 

Në simpozium morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, qytetarë e besimtarë të shumtë të qytetit të Elbasanit.

27 Prill 2013

/Drita Islame/

elbasan simpozium (2)