HISTORIKU I KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË
Vitet njëzetë të shekullit XX, në vendin tonë, ishin vitet e luftës për demokraci e përparim shoqëror. Në këto vite ekzistonte një atmosferë me ndjenjë të theksuar kombëtare, e cila ishte pasqyruar në shumë drejtime. Patriotët klerik në gjirin e komuniteteve fetare, të cilët kishin marrë pjesë aktive në çështjet kombëtare, iu vunë punës që kjo frymë kombëtare të pasqyrohej edhe në jetën e vet komuniteteve fetare. Përpara tyre shtrohej detyra e organizimit të komuniteteve dhe e pavarësisë së tyre. Klerikët myslimanë me forma të ndryshme sensibilizuan opinionin shqiptar dhe autoritetet shtetërore për mbështetje në punën e nisur në rrugën e pavarësisë.
Më 1921, për arsye të pushtimit të Stambollit, ku ishte edhe kalifati dhe si rrjedhojë të humbjes së lidhjeve në varësi institucionale, Bashkësia Islame Shqiptare shpalli shkëputjen prej Shejhul Islamit të Perandorisë Osmane. Zyrtarisht e kreu këtë shkëputje me rastin e kongresit të parë të myslimanëve, i cili u themelua në Tiranë dhe i zhvilloi punimet nga 24 shkurti deri më 12 mars të vitit 1923, duke zgjedhur si kryetar të bashkësisë Kryemyftiun e deriatëhershëm Haxhi Vehbi Dibrën. Ai u shqua për organizimin, drejtimin dhe mbarëvajtjen e Komunitetit Mysliman, si dhe për krijimin e marrëdhënieve të reja me Shejhul Islamin e Stambollit, tashmë si një njësi politike autonome në rang shteti, por e njëjtë fetare-islame. Kongresi Mysliman Shqiptar përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare e shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tonë. Ai shënon një stad të rëndësishëm në rrugën për reformimin e organizimit islam, në përputhje me kërkesat e kohës dhe sidomos me faktin që u theksua shumë aso kohe, vend-ndodhjen e Shqipërisë në mesin e Evropës. Mendohej, jo pa të drejtë, që vetëm me këtë rrugë mund të forcoheshin pozitat e islamit në kontinentin evropian. Në kongres morën pjesë 36 delegatë nga i gjithë vendi. Ky kongres hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike me kahje kombëtare. Ndër ta mund të përmendim:
1) Shpalli mëvetësinë e “Xhamisë Shqiptare” duke prerë të gjitha lidhjet me Kalifatin.
2) Themeloi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili do të interpretonte dhe menaxhonte në të ardhmen gjithçka që kishte lidhje me fenë myslimane tek ne.
3) Zgjodhi Këshillin e Naltë të Sheriatit të përbërë nga Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Vejsel Naliu etj. dhe Këshillin e Xhematit. Kryetari i Këshillit të Naltë të Sheriatit përfaqëson Komunitetin Mysliman me titull Myfti i Përgjithshëm. Për të përfaqësuar tarikatet u zgjodhën: Haxhi Adem Bala dhe Sheh Ibrahim Karbunara. Ndërsa Drejtor i Përgjithshëm i Vakufeve u zgjodh Sali Vuçiterni.
4) Hartoi Statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, mbi të cilin do të mbështetej e gjithë veprimtaria e Komunitetit Mysliman.
5) Vuri mbi baza të drejta shkencore kombëtare shkollimin e ardhshëm të kuadrove fetarë në vendin tonë si dhe zhvillimin e predikimeve dhe të botimeve fetare në gjuhën shqipe.
6) Miratoi rregulloren mbi zgjedhjet në forumet e Komunitetit Mysliman.
7) Miratoi gjithashtu, rregulloren mbi organizimin e vakëfeve myslimane në Shqipëri etj.
Vendimet e Kongresit të parë Mysliman Shqiptar, si dhe masat e përpjekjet për zbatimin e tyre, bënë që abrogimi i Kalifatit Islam një vit më vonë të kalonte pa ndonjë reagim negativ, siç mund të mendohej apo siç ndodhi në vende të tjera islame, qoftë në Ballkan. Kjo masë e Republikës Turke dha rastin të ngulej këmbë për të thelluar e për të çuar përpara vendimet e marra në mars të vitit 1923 në Tiranë. Në zbatim të vendimeve të Kongresit të parë islam, u themelua Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe, sikurse në të gjitha rrethet e tjera të vendit, edhe Myftinia e Tiranës. Në fakt, institucionet e fesë islame në Shqipëri kanë ekzistuar qëkur u islamizua vendi, por këtu është fjala të inkuadruara në strukturat e Komunitetit Mysliman të sapoformuar. Në Tetor të vitit 1923 fillon botimin revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman e titulluar “Zani Naltë” për t’u mbyllur në vitin 1939. Në të vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve që lanë shënimet dhe shkrimet e tyre. Gjatë luftës së dytë botërore Komuniteti Mysliman ka pasur si organ zyrtar revistën “Kultura Islame”. Më 1924’n, u hap dhe filloi vitin e parë shkollor Medreseja e Tiranës. Nëpërmjet administratës së ngritur me dijetarë myslimanë dhe me besimtarë të përkushtuar civilë, në qendër dhe në gjithë vendin përfshirë dhe fshatin, Komuniteti Mysliman ka realizuar interpretimin teologjik dhe realizimin praktik të parimeve të fesë islame. Gjithashtu është kujdesur për menaxhimin dhe vënien në efiçencë të të gjitha pasurive të luajtshme dhe të palujtshme-vakufeve në Shqipëri.
Rihapja e aktivitetit fetar islam pas sistemit komunist në Shqipëri, u bë më 16 Nëntor 1990 në Xhaminë e Plumbit në Shkodër. Institucionalizimi i funksionimit zyrtar i Komunitetit Mysliman u bë në vitin 1991. Gazeta “Drita Islame” e cila e vazhdon dhe sot aktivitetin e saj si zëri i vetëm zyrtar i KMSH, e ka filluar botimin e saj të parë në vitin 1992. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që nga themelimi i tij është drejtuar e kryesuar nga këta atdhetarë e dijetarë të fesë islame:
1) Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937)-Kryetari i parë i Parlamentit (Pleqënisë) më 1912, si dhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1923-1929).
2) Behexhet Shapati (kreu i KMSH-së në vitet 1929-1942).
3) Hafiz Sherif Lëngu (kreu i KMSH-së në vitet 1942-1945).
4) Hafiz Musa H. Ali Basha (kreu i KMSH-së në vitet 1945-1954).
5) Hafiz Sulejman Myrta (kreu i KMSH-së në vitet 1954-1966).
6) Esat Myftija (kreu i KMSH-së në vitet 1966-1967).
7) Haxhi Hafiz Sabri Koçi (kreu i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990-2003).
8) Mars 2004 – 8 Mars 2014, kreu i KMSH-së, Haxhi Selim Muça.
9) 8 Mars 2014 – Mars 2019, kreu i KMSH-së, Haxhi Skender Bruçaj.
10) Mars 2019 e në vazhdim, Haxhi Bujar Spahiu