Drejtoria e Burimeve Njerëzore ndjek dhe zbaton vendimet e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për emërimin dhe lëvizjen e kuadrove dhe nëpunësve të emërtesës së Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm. Ndjek veprimtarinë e çdo kuadri dhe evidenton arritjet dhe mangësitë e secilit gjatë kryerjes së detyrës.

Krijon fashikull për çdo kuadër e nëpunës të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe i mban e i ruan në arkivin e kësaj drejtorie. Plotëson dhe pasuron fashikujt e kuadrove dhe nëpunësve me aktet zyrtare të domosdoshme, fotografi, dokumentet shkollore, të dhëna personale, kërkesa, në të cilat pasqyrohet veprimtaria personale e secilit punonjës.

Bën pasqyrimin e fashikujve të kuadrove dhe nëpunësve me vlerësime pune, dëshmi aftësimi e kualifikimi, masat ndëshkimore dhe me stimujt moralë dhe materialë të dhënë nga organet e KMSH-së dhe organet shtetërore si dhe organizmat ndërkombëtare Islame. Pasqyron në fashikull të gjitha vendimet për emërimet, lëvizjet paralele, uljet në detyrë, shkarkimet nga detyra dhe  heqjen ose dhënien e ofiqeve fetare etj.

Përgatit propozimet për emërimet, lëvizjet dhe shkarkimet e kuadrove dhe nëpunësve dhe ia paraqet Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për vendim.

Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore duhet të ketë arsim të lartë fetar Islam ose laik dhe të ketë përvojë pune mbi 5 vjet.

Drejtoria e Burimeve Njerëzore kryen studimin për plotësimin e nevojave me kuadrin e nevojshëm në të gjithë strukturën e KMSH.

Kryen studime për nivelin arsimor të nëpunësve fetarë e civilë që punojnë në të gjithë strukturën e KMSH dhe merr masa për plotësimin dhe  zëvendësimin për çdo vend pune me punonjës, në bazë të kritereve  të përcaktuara në Statutin e KMSH.