kashar xhamia (4)

Banorët e fshatit Kashar-Valis kanë përjetuar me emocion hapjen e xhamisë së re. Kjo ngjarje është shoqëruar me një ceremoni solemne ku ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra, kryetari i Komunës Kashar, z. Besnik Fuçia, drejtori i shoqatës “Gjysmëhëna e Kuqe”, Hamad Abdennebi, drejtues të shoqatave islame, si dhe të ftuar e besimtarë të zonës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça theksoi se hapja e një xhamie të re do të thotë më shumë njerëz që i afrohen Zotit, dhe për rrjedhojë më shumë qytetarë të ndërgjegjshëm e kontribues për shoqërinë.

kashar xhamia (5)“Jemi mbledhur në këtë ditë gëzimi për të bërë inaugurimin e kësaj xhamie, kësaj shtëpie ku do të lartësohet emri i Zotit, do të kultivohet virtyti e do të përhapet e mira. Një njeri i rritur me ndjenjën e besimit është i aftë jo vetëm për veten, por i dobishëm edhe për familjen, rrethin shoqëror dhe shoqërinë në tërësi. Ndaj ne do bëjmë gjithçka që çdo fshat të ketë xhaminë e tij, duke e parë këtë jo vetëm si plotësim të nevojave të besimtarëve, por edhe si një investim me interes shumëplanësh”, u shpreh kryetari Muça.

Pas tij fjalën e mori myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra. Duke e cilësuar këtë xhami si një investim të rëndësishëm për komunitetin e zonës, z. Gurra tha: “Shpresoj që edhe kjo xhami, ashtu si të gjitha xhamitë e tjera në vend ploteson infrastrukturen shpirterore te ketij komuniteti dhe me aktivitetin e saj t’i kontribuojë zhvillimit fetar dhe kulturor të myslimanëve e sidomos brezit të ri.” Një falënderim të veçantë z. Gurra shprehu në adresë të donatorit Hamad Khalifa nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dhuruesit të truallit, z. Petrit Valisi

Kryetari i Komunës Kashar, z. Besnik Fuçia, falënderoi në mënyrë të veçantë kreun e KMSH-së H. Selim Muça si dhe shoqatën financuese të projektit dhe të gjithë personat që kontribuan për ngritjen e saj. “Kam një kënaqësi të veçantë që marr pjesë në këtë ceremoni dhe që ndaj me ju gëzimin e kësaj dite të veçantë. Kjo është xhamia e pestë që ndërtohet në komunën tonë në harkun e dy viteve.”

Në emër të shoqatës “Gjysmëhëna e Kuqe” përshëndeti drejtori z. Hamad Abdennabi. Pasi falënderoi autoritetet lokale për ndihmën dhe kontributin e dhënë në lehtësimin e procedurave, z. Abdennabi tha se ngritja e kësaj xhamie është vazhdim i kontributit që shoqata “Gjysmëhëna e Kuqe” jep në shërbim të Islamit dhe tregues i bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm që ajo ka me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Besimtarët kanë hyrë të gëzuar në ambientet e xhamisë së re. Të rrethuar nga një atmosferë e ngrohtë besimi ata kanë dëgjuar hytben e mbajtur nga Myfti i Tiranës Ylli Gurra dhe pastaj kanë kryer së bashku namazin e së premtes.

Xhamia e re e ndërtuar në Kashar-Valis është një investim me vlerë 130 milion lekë. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 650 metra katrorë. Kapaciteti i saj është për rreth 300 besimtarë.

05/07/2013

/Drita Islame/

 

 

kashar xhamia (1)kashar xhamia (6) kashar xhamia (3)  kashar xhamia (2)xhamia kashar