HAXHI (Pelegrinazhi në Mekë)

Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk ka nevojë për (ibadetin që bëjnë) njerëzit. (Ali Imran 3:97)

Shtylla e pestë dhe e fundit e Islamit, Haxhi, konsiston në kryerjen e një udhëtimi në Mekë për t’iu bashkangjitur xhematit më të madh njerëzor në tokë. Haxhi është një udhëtim i shenjtë nga materialja tek shpirtërorja dhe përbën një përkujtim të faktit se ne jemi vetëm udhëtarë në këtë botë. Haxhi është një nënshtrim i plotë i besimtarit ndaj Allahut dhe përbën një namaz universal në të cilin besimtarët i heqin rrobat e tyre të zakonshme dhe veshin rroba të thjeshta derisa të gjithë të pranishmit të arrijnë ta shikojnë njëri-tjetrin me mëshirë dhe përulësi. Ai përshkruhet më së miri me fjalët që pelegrinët shqiptojnë në momentin kur janë duke u rrotulluar rreth Qabes në tavaf:

Këtu jam o Allah, këtu jam, në shërbimin Tënd.

Ti je i pashoq. Ty të takojnë të gjitha falenderimet dhe lavdërimet, dhe i Yti është i gjithë sundimi.

Ti je i pashoq.

…”Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!” (Bekare 2:201)

Kur u ndërtua Qabja për herë të dytë pas Ademit (a.s.) nga Profeti Ibrahim (a.s.) dhe i biri Ismaili (paqja qoftë mbi ta), Allahu e urdhëroi Ibrahimin t’i bënte thirrje njerëzimit për ta madhëruar Atë, duke vizituar Shtëpinë e Tij (Bejtullah). Kjo thirrje përbën një detyrim për të gjithë muslimanët të cilët janë në gjendje ta përballojnë atë të paktën një herë në jetën e tyre.

Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes); Të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde. Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (Haxh 22:26-27).

Haxhi përbën një pikë kthese në ecurinë shpirtërore të besimtarëve. Kur viziton Qaben, shtëpinë e parë të adhurimit të ndërtuar me urdhrin e Allahut, një pelegrin takon Ademin, babanë e njerëzimit; ndjen gëzimin që një udhëtar ndjen kur kthehet në shtëpi; bëhet dëshmitar për faktin se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria dhe rinia nuk janë asgjë tjetër përveçse tituj të përkohshëm, të destinuar të humbasin. Ai do të përjetojë në ato momente një episod nga shfaqja e madhe e Ditës së Ringjalljes, ditë në të cilën atij do t’i duhet të japë llogari përpara Zotit tonë për gjithçka ka bërë në jetë. Kjo është arsyeja përse Qabja është “pika e referimit” për njerëzit shumica e të cilëve bëjnë një jetë edhe më të virtytshme pas haxhit.

Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, vend jetësimi për njerëz. (Maide 5:97)

Bediuzzaman Said Nursi e përshkruan haxhin në këtë mënyrë:

Haxhi shpreh një akt adhurimi të shkallës më të lartë të mundshme. Ai është çelësi që ua hap shumë dyer të prezantimit të mbretërisë universale hyjnore pelegrinëve. Ai paraqet horizontet e Madhështisë Hyjnore të cilat ne nuk arrijmë t’i shohim ndryshe. Nderimi i thellë dhe mahnitja, ndjenja që përjetojmë përballë madhështisë së Mbretërisë Hyjnore (e shkaktuar prej ndjenjës së adhurimit dhe gatishmërisë për të shërbyer), si dhe shkallët e prezantimeve të pashfletuara në zemrat dhe imagjinatën e tyre (të përjetuara duke kryer ritualet e haxhit), mund të përjetohen vetëm duke përsëritur vazhdimisht: “Allahu është më i Madhi.” Vetëm kjo frazë mund t’ia shprehë një shkallë të tillë manifestimi njerëzimit. (Fjala e Gjashtëmbëdhjetë, Rrezja e katërt)

Një përshkrim i shkurtër i ritualeve

E thënë shkurt, haxhi është një bashkësi ritualesh të kryera në Mekë dhe në disa rrethina të shenjta rreth saj, në dy javët e para të muajit të Dhulhixhes (muaji i dymbëdhjetë i kalendarit hixhri). Pelegrinët hyjnë në vendin e shenjtë në gjendje ihrami, d.m.th. me objektivin për ta kryer vizitën duke zbatuar disa rregulla të caktuara. Në fakt, ritualet e kryera gjatë haxhit datojnë që përpara shekullit të shtatë kur fesë iu dha trajta e saj përfundimtare. Gjatë haxhit, pelegrinët përkujtojnë ribashkimin e Profetit Adem dhe Havasë, si dhe faljen e tyre nga Allahu në Fushën e Arafatit dhe në Malin e Mëshirës, ndërsa përshkojnë të njëjtën rrugë ndërmjet kodrave Safa dhe Merve, të cilën pati përshkuar Haxherja, gruaja e Profetit Ibrahim, kur po kërkonte ujë për djalin e saj Ismail.

Më hollësisht, haxhi përmban ritualet e mëposhtme:

• Ihrami: Qenia në gjendjen e ihramit nënkupton moskryerjen e punëve të ndaluara gjatë kohës së haxhit (marrëdhëniet seksuale, grindjet, veshja e rrobave të qepura, vrasja e kafshëve, prerja e bimëve dhe e pemëve). Burrat veshin një uniformë karakteristike për këtë ritual të përbërë prej dy copave të bardha të paqepura fabrikisht.

• Vakfe: Përfshin qëndrimin në Arafat deri në mbrëmjen e ditës së nëntë të Dhulhixhes, natën e Kurban Bajramit, qëndrimin në Muzdelife në kohën ndërmjet agimit dhe lindjes së diellit në ditën e Bajramit për të paktën një orë. Muzdelife ndodhet rreth njëzet kilometra larg nga Meka dhe dhjetë kilometra larg nga Arafati.

• Tavafi: Përbën kryerjen e shtatë rrotullimeve rreth Qabes

• Sa’j: Nënkupton një ecje të shpejtë ndërmjet kodrave të Safas dhe Mervesë pranë Qabes.

• Xhemerati: Është goditja me nga shtatë gurë të vegjël e secilës nga shtatë kolonat prej guri (xhemerat) në Mina, aty ku Profeti Ibrahim kundërshtoi djallin.

• Therja e  një kurbani brenda tri ditëve duke filluar që nga momenti i goditjes së shtyllave me gurë në ditën e parë të Bajramit, dhe qethja ose rruarja e flokëve brenda rrethinave të shenjta të Mekës. Grave u duhet vetëm t’i shkurtojnë paksa flokët.

Përfundim

Islami përbën manualin hyjnor të veprimit në këtë botë, në mënyrë që ajo të funksionojë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Ajo është një fe shumë e lehtë për t’u praktikuar dhe në përputhje të plotë me strukturën natyrale të njerëzve dhe të mbarë gjithësisë. Nëpërmjet këtij formati që ju rrezatuam, ky libër ka për qëllim që të bëjë vetëm një hyrje në Islam. Megjithëse ai i mbulon të gjitha fushat e themeleve të besimit dhe praktikimit të Islamit, ne u bëjmë thirrje lexuesve ta studiojnë më thellë atë, duke lexuar Kur’anin e shenjtë si dhe duke shfletuar botimet e tjera të dijetarëve, me qëllim që të arrihet në një kuptim më të thellë të kësaj feje.

Klikoni për të hapur revisten në PDF