“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve.”

 “Lexojeni Kuranin sepse ai dëshmon për lexuesin e tij ditën e kijametit.”

Profeti Muhamed a.s.

 

Zyra e gruas - xhamia e medresese (8)

Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, organizoi të premten, më 13 Dhjetor 2013, një  program të shkurtër artistiko-fetar, në xhaminë  e Medresesë së Tiranës.

Programi i titulluar “Të jetojmë me Kuran”, filloi menjëherë pas namazit të xhumasë, ku  besimtaret e pranishme  ndoqën ligjëratën  e mbajtur nga Përgjegjësja e Zyrës së Gruas znj. Fatma Karaj.

Znj. Karaj theksoi se, të jetosh me Kuranin do të thotë të bësh një jetë bazuar mbi moralin, etikën dhe dashurinë për Krijuesin e Gjithësisë.  “Kurani pa dyshim, është fjala e Allahut, i cili në formë të shpalljes ju dërgua Muhamedit (a.s), për të na orientuar në besimin te një Zot dhe për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira, injoranca në dritë, në rrugën e drejtë, në rrugën e emancipimit dhe të prosperitetit e të progresit individual dhe shoqëror”, shtoi ajo më tej.

Gjitashtu znj. Karaj u shpreh se Allahu e shpalli këtë libër të përjetshëm duke qenë udhëzim e mëshirë për individin dhe bashkësinë njerëzore. “Ai e dërgoi këshillë të një niveli më të lartë edukativ, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje ndër njerëz, që nxit lartësimin shpirtëror, që përmbledh rregulla e dispozita më të dobishme të rendit social që parashtron parime edukative, për njerëz të çdo kohe dhe të çdo vendi. Kurani është një dritë që kristalizohet në zemra, një burim ndriçimi që u bën dritë shpirtrave dhe fundekrye një ekspozitë të vërtetash. Me fytyrën e tij të vërtetë, Kuranin munden ta njohin e kuptojnë vetëm shpirtrat që munden t’i dallojnë të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që munden ta vëzhgojnë furtunën në një pikë ujë. Kurani është i vetmi libër që, duke marrë nën mbrojtje bonjakun, të varfrin dhe viktimën, i ul në të njëjtën karrige mbretin me skllavin, komandantin me ushtarin”, tha ndër të tjera znj. Karaj.

Më pas programi vijoi me këndimin e ajeteve kuranore dhe ilahive të ndryshme nga nxënëset e Medresesë së Tiranës.

Programi u mirëprit dhe u pëlqye nga pjesëmarrësit të cilët shprehën dëshirën për të pasur çdo të Premte  programe të tilla.

/Drita Islame/

 

Zyra e gruas - xhamia e medresese (1) Zyra e gruas - xhamia e medresese (2) Zyra e gruas - xhamia e medresese (3) Zyra e gruas - xhamia e medresese (4) Zyra e gruas - xhamia e medresese (5) Zyra e gruas - xhamia e medresese (7)  Zyra e gruas - xhamia e medresese (9)