Një buzëqeshje në fytyrën e jetimit

20130530_152200

Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë ka organizuar një program artistik me fëmijët e jetimores Zyber Hallulli.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e medresesë së Tiranës me rastin e festës së 1 qershorit, ku fëmijët kanë mundur të kalojnë një ditë ndryshe me lojëra e argëtime pafund, duke i ngrohur sadopak zemrën e këtyre fëmijëve që kanë nevojë për një dorë ku të mbështeten, për një fjalë të ëmbël, për një buzëqeshje më shumë.

Vënia në skenë e një  prej përrallave më të bukura për fëmijë “Hirushes”, këndimi i këngëve të preferuara të fëmijëve, recitimi i  poezive  kanë bërë që kjo ditë të ishte e veçantë, plot gëzim e hare për këta fëmijë, aktivitetet e të cilëve janë të pakta.

Gjithashtu fëmijëve iu shpërndanë dhurata si veshje e lodra të ndryshme si dhe u shtrua një koketil posaçërisht për ta. Fëmijët gjithashtu shëtitën dhe panë nga afër ambientet e shkollës.

Përfaqësueset e Zyrës së gruas në KMSH u shprehën se për ta ishte një ditë e veçantë dhe se në fund të fundit të gjithë ndihemi sado pak fëmijë. “Ti shihje fëmijët të largoheshin me buzëqeshje në fytyrë e me dhurata në duar, ishte për ne kënaqësia më e madhe, sepse ky ishte qëllimi ynë, buzëqeshja dhe gëzimi në fytyrën e jetimit. U munduam që t’i shprehim sadopak atë dashuri të munguar të nënave të tyre edhe pse ajo është e pazëvendësueshme”, u shpreh Fatma Karaj, përfaqësuese e kësaj zyre.

Pejgamberi, (a.s.) thotë: “Ai që përkëdhel kokën e jetimit vetëm për hir të Allahut, në çdo fije floku që kalon dora merr nga një sevap dhe ai që sillet mirë me jetimin ose jetimen, do të jetë me mua në xhenet”. Ata u larguan me buzëqeshje në fytyrë e me dhurata në duar.

 

 

1 qershori  (2)

 

1 qershori  (3)