
Zyra e Haxhit dhe Umres pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi sot shorteun për përzgjedhjen e tre besimtarëve të cilët do të përfitojnë falas një haxh dhe dy umre.
E gjithë procedura u zhvillua në mënyrë tërësisht transparente, përmes një komunikimi online me myftinjtë e qyteteve të ndryshme të vendit në platformën “Zoom” dhe pjesëmarrjen fizike të disa prej anëtarëve të kryesisë, punonjësve të zyrës së Haxhit dhe myftinjëve të ndryshëm.
Në hapje të këtij takimi, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe njëherazi Koordinatori i Haxhit, z. Lauren Luli, sqaroi në detaje të gjithë procesin – që nga shpallja e vendimit të kryesisë së institucionit e deri tek aspektet teknike që do të pasojnë për fituesit e këtij shorteu.
Më pas, i zgjedhur në mënyrë rastësore, një nga të pranishmit në sallë tërhoqi një nga kuponët e anëtarësimit, kuponë të cilët u dorëzuan më herët nga myftinjtë e vendit në zyrën e Haxhit dhe të Umrës në KMSH, me synimin për t’u bërë pjesë e këtij shorteu.
Nga përzgjedhja e rastit rezultoi se fituesi i Haxhit falas për këtë vit është z. Adem Shehu nga Fushë Kruja, i cili do t’i bashkëngjitet pjesës tjetër të besimtarëve që do të udhëtojnë drejt Mekkes e Medines në fund të muajit Maj.
Për herë të parë këtë vit, Zyra e Haxhit pranë KMSH-së do të organizojë edhe ritualin e Umres, andaj gjatë këtij shorteu u tërhoqën edhe dy kuponë të tjerë, të cilët përfitojnë një udhëtim falas drejt vendeve të shenjta. Fitues u shpallën z. Sherif Çullhaj dhe z. Mateo Xake, të dy besimtarë nga Tirana.
Pjesë e këtij shorteu u bënë të gjithë ata besimtarë të cilët kanë kryer më herët antarësimin në myftinitë përkatëse. Më pas, të gjithë kuponët që u sollën pranë zyrës së Haxhit dhe Umres në KMSH u bënë pjesë e këtij shorteu.
Allahu (xh.sh) ua pranoftë haxhin dhe umret të tre fituesve të sotëm!






