Në një atmosferë të ngrohtë akademike dhe shpirtërore, Kolegji Universitar Bedër organizoi edicionin e katërt të konkursit ndërkombëtar “Urtësitë e Traditës Profetike”, një aktivitet i rëndësishëm që solli në qendër të vëmendjes modelin profetik si frymëzim për brezin e ri.

Me pjesëmarrjen e mbi 400 nxënësve dhe studentëve nga shkolla 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete, si dhe me konkurrentë nga vende të ndryshme si Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Luksemburgu, Kirgistani dhe Nigeria, ky konkurs dëshmoi vlerën ndërkombëtare që përçon mesazhi i traditës profetike.

Ekspozita me projekte dhe postera të përgatitur nga pjesëmarrësit shpalosi kreativitetin dhe përkushtimin e të rinjve për të eksploruar dhe përcjellë vlerat universale të profetit Muhamed (a.s), duke bashkuar dimensionin shkencor me atë shpirtëror.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergji Sinani, theksoi rëndësinë e nismave që nxisin të rinjtë drejt dijes dhe virtytit:

“Të rinjtë janë shpresa e shoqërisë dhe mbartës të mesazheve që ndërtojnë paqe dhe mirëkuptim. Ky konkurs përfaqëson një përpjekje të lavdërueshme për të sjellë në vëmendje urtësinë dhe moralin profetik në një formë kreative dhe edukative.”

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi:

“Punimet tuaja të përmbledhura nën emërtimin ‘Urtësitë e Traditës Profetike’ janë më shumë sesa një kërkim akademik. Ato janë një ftesë për reflektim mbi thesarin e çmuar që qëndron në fjalët dhe veprimet e Profetit Muhamed (a.s). Me këtë nismë, ju po bëni një shërbim të madh, duke rikthyer traditën e Profetit në jetën tonë të përditshme. Zoti ju shpërbleftë për përkushtimin dhe frymëzimin që na dhuruat.”

Aktiviteti u pasurua me lexim të Kuranit Famëlartë, poezi, interpretime të ilahive dhe performanca artistike, ndërsa ceremonia u moderua nga aktori i mirënjohur z. Dritan Boriçi dhe znj. Esmeralda Pashollari.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vlerëson dhe mbështet çdo iniciativë që kontribuon në edukimin dhe formimin moral të të rinjve, në frymën e mësimeve të profetit Muhamed (a.s). Ky konkurs është dëshmi e gjallë e këtij misioni dhe një shembull i bukur se si trashëgimia profetike mund të frymëzojë brezat e rinj drejt dijes dhe virtytit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë