
Përgjatë dy javëve që lamë pas, kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi mbledhjet periodike me myftinitë e institucionit.
Në fokus të këtyre takimeve ishte diskutimi mbi ecurinë e deritanishme të objektivave të punës të vendosura më herët në planifikimin vjetor Korrik 2024 – Qershor 2025 dhe shërbyen për të vlerësuar ecurinë e deritanishme të punës së secilës myftini.
Myftinjtë, të ndarë në grupe, paraqitën raportet përkatëse të veprimtarisë së tyre përpara kryesisë së institucionit dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu. Në kuadër të këtyre mbledhjeve të skeduluara paraprakisht, çdo myftini raportoi mbi aktivitetet e realizuara, sfidat e hasura në përmbushjen e objektivave të planifikuara, si dhe synimet për periudhën e ardhshme.
Diskutimet u përqendruan në një sërë tematikash të rëndësishme për jetën institucionale dhe atë komunitare, ku theksi u vu te mbarëvajtja e jetës fetare në myftini, zhvillimi i kurseve fetare për fëmijë të grupmoshave të ndryshme, menaxhimi i vakëfeve në dispozicion, si dhe kontrolli i investimeve dhe shpenzimeve buxhetore. U trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me administrimin e arkave të xhamive dhe pagesën e kuotës statuore, procesin e anëtarësimeve vjetore, mbledhjen e sadakasë dhe zekatit, si dhe rëndësia e abonimeve në revistën “Drita Islame”, organizimit të rregullt të mbledhjeve me Këshillin e Myftinisë, imamët dhe stafin përkatës, si dhe ideimit të projekteve të reja me ndikim të dobishëm për komunitetin.
Prezantimet u shoqëruan me diskutime konstruktive, ku anëtarët e kryesisë ofruan sugjerime të ndryshme mbi çështje specifike të evidentuara në raportime, me qëllim adresimin më të mirë të tyre dhe rritjen e efikasitetit në veprimtarinë e përditshme.
Po ashtu, gjatë këtyre mbledhjeve, myftinjtë propozuan një sërë sugjerimesh për aspekte të ndryshme të punës së përditshme, me synimin për përmirësimin e vazhdueshëm të veprimtarisë institucionale dhe shërbimit ndaj besimtarëve.
Më herët, këto mbledhje u zhvilluan edhe me drejtorët e drejtorive dhe zyrave në KMSH-së, të cilët raportuan në të njejtën formë vizionin e drejtorive përkatëse.
Këto takime do të vijojnë të zhvillohen në mënyrë periodike, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të forcuar bashkëpunimin institucional dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj besimtarëve në të gjitha nivelet. Përmes këtyre takimeve synohet rritja e efikasitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në veprimtarinë fetare dhe administrative në çdo myftini të vendit.




