Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me nënkryetarin e institucionit, z. Taulant Bica dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, zhvilluan një vizitë pune në Myftininë e Dibrës, ku u pritën nga myftiu, z. Muis Kurtulla, administratori dhe imamët përkatës.

Ashtu si edhe në myftinitë e tjera të vendit, kjo vizitë kishte si qëllim monitorimin dhe vëzhgimin në terren të objektivave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme lidhur me planin strategjik të punës për periudhën 2024-2029.

Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Dibrës, z. Kurtulla, bëri një përmbledhje të punës së Myftinisë, duke vënë theksin te angazhimi intensiv i imamëve gjatë Ramazanit. Më tej, ai u ndal në problematikën e emigrimit dhe pasojat që ka sjellë kjo e fundit në jetën fetare dhe atë sociale të zonës, gjendjen ekonomike të imamëve, menaxhimin dhe kthimin në efikasitet të plotë të pronave vakëf, si dhe nevojën për investime të qëndrueshme.

Ndërkohë, kryetari Spahiu, përgëzoi imamët për kontributin e tyre të vyer dhe nënvizoi rëndësinë e misionit të tyre si kumtues të fesë islame bazuar në mësimet e Kuranit Famëlartë dhe traditës Profetike. Ai u ndal gjithashtu në çështje të tjera, si anëtarësimet vjetore, investimet e mëtejshme, gjenerimi i të ardhurave nga vakëfet, përmirësimi i kushteve ekonomike për imamët, etj.

Ndërsa nënkryetari Bica, fillimisht falenderoi imamët për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm, që nga qyteti deri në fshatrat më të thella të Dibrës. Për të vijuar më tej me përfshirjen e të rinjve në jetën fetare të qytetit, duke theksuar në këtë aspekt rolin dhe misionin e Forumit Rinor Mysliman Shqiptar dhe Institutit të Studimeve Islame “H. Sabri Koçi”.

Ky takim vijoi më tej në formën e një bashkëbisedimi ndërmjet të pranishmëve, ku imamët patën mundësine të ndajnë problematikat që hasin në terren, duke adresuar pyetje, sugjerime dhe kërkesa konkrete.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë