Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër organizoi simpoziumin me temë: “Gruaja Myslimane në Shoqërinë Moderne”.

Ky aktivitet u përshëndet nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame, Dr. Genti Kruja,  si dhe përgjegjësja e Zyrës së Gruas pranë KMSH-së, znj. Fatma Karaj.

Të pranishëm në këtë program ishin rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i  Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekines, pedagogë, studentë, si dhe të ftuar të tjerë.

Simpoziumi kishte në fokus të shpaloste vendin dhe rolin e gruas myslimane në shoqërinë e ditëve të sotme, duke treguar dhe një herë të drejtat dhe mundësitë, që Islami i njeh femrës.

Programi u hap me këndim Kur’ani nga studenti i Shkencave Islame Abdullah Ziba dhe më pas u transmetua dokumentari “Nëna, një heroinë dhembshurie”.

Në panelin e moderuar nga studentja e vitit të tretë Enxhi Hasmeta, referuan tre studentë nga Departamenti i Shkencave Islame me temat e tyre specifike mbi rolin dhe vendin e gruas myslimane në ditët tona, siç ishin: Zamira Merja me temë: “Roli dhe te drejtat e gruas ne Islam”, Haki Sahitaj me temë: “Gruaja myslimane shqiptare në shoqërinë modern” dhe Zerina Kupe me temë: “Roli i nënës ne shoqëri”.

17 mars 2017