Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, mori pjesë në programin e organizuar nga Medreseja e Kavajës me rastin e 20 vjetorit të menaxhimit të saj nga Fondacioni Sema.

Krahas elementëve artistik dhe dokumentarit të shfaqur mbi historikun e Medresesë së Kavajës që nga hapja e saj në vitin 1991 nga Xhaferr Shkodra e deri më sot, u vlerësua kontributi i disa prej mësuesve që kanë shërbyer në shkollë për vite me radhë.

Në fjalën e tij të rastit nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, vlerësoi kontributin e kësaj medreseje në fushën e arsimit, dijes fetare asaj sociale dhe kulturore.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ndihet krenar për Medresetë e tij në mbarë vendin. Një ndër këto shkolla është edhe Medreseja e Kavajës, e cila ka shërbyer në fushën e arsimit dhe edukimit duke dhënë kontributin e saj në edukimin e brezave të rinj me dije shkencore dhe fetare. Nxënësit e dalë prej kësaj vatre arsimi, kanë përfaqësuar me sukses jo vetëm shkollën e tyre, por edhe qytetin e Kavajës apo dhe mbarë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Edukimi dhe vlerat e larta bëjnë të mundur që maturantët e kësaj shkolle të jenë një vlerë e shtuar për shoqërinë tonë” – tha ai.

Në këtë aktivitet morën pjesë drejtori i Medresesë së Kavajës, z. Ndriçim Gjimi, drejtori i Fondacionit Sema, z. Ali Zaimi, Myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, përfaqësues nga Bashkia e Kavajës, mësues dhe nxënës të kësaj shkolle ndër vite si dhe prindër e qytetarë të shumtë të qytetit.

Gjatë aktivitetit Bashkia e Kavajës i akordoi medresesë “Çmimin e mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe edukimit të brezave si dhe për impaktin pozitiv në jetën socio-kulturore të qytetit të Kavajës”.

Gjithashtu pjesë e përshëndetjeve ishin edhe drejtori i Medresesë së Kavajës, drejtori i Fondacionit Sema, Myftiu i Kavajës, përfaqësues të ish-stafit pedagogjik dhe përfaqësues të maturantëve, të cilët vlerësuan kontributin e kësaj shkolle në qytetin e Kavajës dhe më gjerë.