BosnjeKryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj zhvilloi një vizitë në Bosnje me rastin e dhurimit të ndihmave për fatkeqësinë e shkaktuar nga përmbytjet e fundit në këtë shtet.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Bruçaj takoi  Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Bosnje Hercegovinës, Reisu-l-ulema, Husein Kavazovic,  ku i dhuroi një shumë prej 10 000 eurosh, në ndihmë të familjeve të dëmtuara.

Kjo shumë është dhuruar nga myslimanët shqiptarë, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të kontribuar dhe për të mbuluar sadopak dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, familjeve myslimane të Bosnjës.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy komuniteteve fetare. Kryetari Bruçaj ftoi z. Husein Kavazovic për një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë së cilës Kavazovic i është përgjigjur pozitivisht.

Kryetari Bruçaj shoqërohej nga drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë z. Fejzi Shaholli.

28 Maj 2014