Cikli i mbrëmjeve fetare “Fryetet e besimit” u ndal mbrëmjen e djeshme në xhaminë qendër Koplik, Malësi e Madhe
Ky aktivitet, i cili mblodhi së bashku dhjetëra besimtarë të zonës, u hap me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Malësisë së Madhe z. Edmir Smajlaj, i cili pasi ju uroi mirëseadhjen të pranishmëve, u ndal në mirësinë dhe begatinë e këtyre aktiviteve të zhvilluara tashmë prej vitesh nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Më tej, fjalën e mori z. Erjol Haxhiu, Drejtor i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, i cili referoi mbi hadithin e Profetit Muhamed (s.a.s), të transmetuar nga Ebu Ejub el-Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), në të cilin thuhet: “Kur të ngrihesh për namaz falu sikur të jetë namazi yt i fundit. Mos thuaj ndonjë gjë për të cilën të bën të kërkosh ndjesë prej saj nesër. Shkëpute shpresën prej asaj që njerëzit posedojnë”.
Kjo mbrëmje fetare vijoi me disa porosi të vyera Profetike mbi besimin, adhurimin e Allahut (xh.sh) dhe përgatitjen për botën tjetër, porosi të sjella këto nga z. Shpëtim Seranaj, Drejtor i Marrëdhënieve me Besimtarët në KMSH.
Në mbyllje të aktivitetit, besimtarët e pranishëm i freskoi me disa këshilla të vlefshme mbi pjesëmarrjen në këto mexhlise ku përmendet dhe lartësohet emri i Allahut Fuqiplotë, imam i xhamisë Koplik Qendër, z. Agim Elezi.
Në fund të kësaj mbrëmjeje, besimtarët e pranishëm u bënë pjesë e koktejlit me ujë zemzemi të organizuar me këtë rast.