The four-day training of the Hajj staff in Xhide ends

Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në Xhide të Arabisë Saudite përmbyllën me sukses trajnimin për Haxhin 2027, duke qenë tashmë të përgatitur për t’u shërbyer sa më mirë mysafirëve të Allahut (xh.sh.) në viset e shenjta.
Përgjatë katër ditëve që lame pas, Ministria e Haxhit dhe Umres e Mbretërisë së Arabisë Saudite zhvilloi në qytetin e Xhides një program intensiv trajnimi, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve fetare nga më shumë se 150 vende të botës, të angazhuar në organizimin e haxhit për sezonin e ardhshëm.
Të ndarë në seksione të ndryshme, përfaqësuesit e KMSH-së u trajnuan mbi një sërë aspektesh thelbësore të organizimit të Haxhit, duke përfshirë shërbimin në vendet e shenjta, transportin brenda dhe jashtë Arabisë Saudite, organizimin e qendrave të mikpritjes, drejtimin dhe koordinimin e grupeve, akomodimin, komunikimin efektiv me haxhinjtë, si dhe masat përgatitore në përballimin e situatave të ndryshme.
Një rëndësi të veçantë në këtë trajnim kishte edhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira me homologë nga vende të ndryshme pjesëmarrëse, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe përmirësim të mëtejshëm të standardeve të shërbimit ndaj haxhinjve.
Ekipi pjesëmarrës përbëhej nga: Erjol Haxhiu, Shpëtim Seranaj, Besnik Leçini, Altin Nikshiqi, Hysni Skura, Redin Latollari, Arjet Hysa dhe Armand Asllani.
Tashmë, me njohuri të reja, përvojë të pasuruar dhe përgatitje më të plotë profesionale, përfaqësuesit e KMSH-së janë gati t’i vënë këto aftësi në praktikë, duke garantuar për haxhinjtë shqiptarë një shërbim sa më cilësor, organizim të kujdesshëm, kushte komode dhe mbështetje të vazhdueshme, në mënyrë që ata ta përjetojnë këtë udhëtim të shenjtë në formën më të mire të mundshme.
Galeria e Fotove
