Kryetari i KMSH-së merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi dialogun e qytetërimeve në Fes, Marok

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi dialogun e qytetërimeve, e zhvilluar në Fes, më 27–28 prill 2026, me temë: “E ardhmja e njerëzimit në epokën e inteligjencës artificiale”.
Kjo konferencë u organizua nga Euro-Mediterranean University of Fes (Universiteti Euro-Mesdhetar i Fesit), në bashkëpunim me United Nations Alliance of Civilizations (Aleanca e Qytetërimeve e Kombeve të Bashkuara) dhe Muslim World League (Liga e Botës Islame), duke mbledhur personalitete të larta ndërkombëtare, vendimmarrës, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë pjesëmarrjes së tij, Kryetari kontribuoi me një kumtesë shkencore që trajtoi çështjen e bashkëjetesës në epokën e inteligjencës artificiale, duke analizuar ndikimin e thellë të teknologjive digjitale në marrëdhëniet njerëzore dhe në sistemet e vlerave.
Në fjalën e tij, ai theksoi se inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një mjet teknik neutral, por një faktor aktiv që ndikon në formësimin e realitetit shoqëror, përmes ndikimit në informacion, perceptim dhe ndërgjegje kolektive. Ai vuri në dukje sfidat kryesore si paragjykimi algoritmik, cenimi i privatësisë, dobësimi i lidhjeve shoqërore dhe thellimi i ndarjeve digjitale, të cilat rrezikojnë vlera themelore si drejtësia, dinjiteti dhe solidariteti njerëzor.
Njëkohësisht, ai nënvizoi potencialin e madh të inteligjencës artificiale për të forcuar dialogun ndërkulturor, për të përmirësuar arsimin dhe për të mbështetur vendimmarrje më të drejtë, nëse ajo udhëhiqet nga një kornizë e qartë etike dhe vlerore.
Në këtë kontekst, Kryetari theksoi rëndësinë e një qasjeje të balancuar, duke sjellë në vëmendje kontributin e parimeve islame, si drejtësia, mëshira dhe bashkëjetesa, në orientimin e zhvillimeve teknologjike në shërbim të njeriut.
Pjesëmarrja në këtë konferencë përfaqëson një angazhim të rëndësishëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në dialogun global mbi sfidat bashkëkohore dhe në promovimin e vlerave të përbashkëta njerëzore.
Galeria e Fotove
