KMSH zhvillon takimet vjetore me myftinitë në kuadër të planifikimit pesëvjeçar

Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi takimet vjetore me myftinitë e vendit në kuadër të planifikimit pesëvjeçar të punës, të hartuar në vitin 2024.
Gjatë këtyre takimeve, të zhvilluara përgjatë dy javëve të fundit, u diskutua mbi veprimtarinë e myftinive për periudhën korrik 2025 – qershor 2026, me fokus të veçantë performancën e përgjithshme në aspektin fetar dhe administrativ, zhvillimin e projekteve të reja, si dhe ecurinë krahasuese me vitet e mëparshme.
Myftinjtë, të ndarë në grupe, paraqitën raportet përkatëse të veprimtarisë së tyre përpara Kryesisë së institucionit dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu. Raportimet përfshinë çështje të rëndësishme, si: zhvillimi i kurseve fetare për fëmijë; mirëmenaxhimi i vakëfeve të disponueshme; kontrolli i shpenzimeve dhe investimeve; kontrolli i arkave të xhamive; pagesa e kuotës statutore; organizimi i Umres nga KMSH-ja; procesi i anëtarësimeve; mbledhja e sadakasë dhe zekatit; abonimet në revistën “Drita Islame”; organizimi periodik i mbledhjeve me Këshillin e Myftinisë dhe stafin; si dhe projektet e reja në dobi të komunitetit.
Po ashtu, gjatë këtyre mbledhjeve, myftinjtë paraqitën një sërë sugjerimesh për aspekte të ndryshme të punës së përditshme, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të veprimtarisë institucionale dhe të shërbimit ndaj besimtarëve.
Përmes këtyre takimeve synohet rritja e efikasitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në veprimtarinë fetare dhe administrative të çdo myftinie në vend.
Gjithashtu, këto takime të përbashkëta shërbyen edhe si një mundësi e vyer për shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet myftinive.
Galeria e Fotove
