KMSH in support of women and girls in the Oncology Hospital of Tirana

Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta të grave dhe vajzave, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Medresenë e Tiranës dhe Medresenë e Elbasanit, zhvilluan një aktivitet në ambientet e Spitalit Onkologjik të Tiranës, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për gratë dhe vajzat që po përballen me sprova në shëndetin e tyre.
Në këtë aktivitet morën pjesë znj. Fatma Karaj, kryeredaktore e revistës “Drita Islame” në KMSH, z. Helidon Nina, drejtor i Spitalit Onkologjik, znj. Lindita Hoxha, kryeinfermiere e këtij spitali, Mësuese dhe nxënëse të të dy medreseve të lartpërmendura, si dhe dhjetëra gra e vajza që po marrin aktualisht trajtim pranë këtij institucioni shëndetësor.
Në fjalën e saj të rastit, znj. Fatma Karaj shprehu mirënjohjen për drejtuesit dhe personelin shëndetësor për përkushtimin dhe punën e tyre të vazhdueshme, duke theksuar gjithashtu rolin e besimit në përballimin e sprovave të ndryshme në jetë, si burim shprese, force shpirtërore dhe qëndrueshmërie.
Nga ana e tij, drejtori i Spitalit Onkologjik, z. Helidon Nina, falënderoi KMSH-në për organizimin e këtij aktiviteti, duke vlerësuar mesazhin e tij sensibilizues dhe rëndësinë e mbështetjes morale e emocionale për gratë dhe vajzat që përballen me sfida të tilla shëndetësore.
Programi vijoi me disa Ilahi dhe poezi të shkurtra të interpretuara nga nxënëset e dy medreseve, të cilat sollën përmes vargjeve mesazhe të shumta kushtuar figurës së gruas dhe nënës në veçanti, forcës, dinjitetit dhe dashurisë së saj.
Në përfundim, znj. Karaj u shpërndau të pranishmeve lule dhe pako me dhurata simbolike, si një gjest i vogël përkujdesjeje dhe solidariteti, duke u përcjellë urime për shëndet, forcë, shpresë dhe ditë më të mira.
Galeria e Fotove
