Fjala e Kryetarit në Forumin Evropian “Shared Sacred Flourishing”

Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim
Të nderuar udhëheqës fetarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar ambasadorë, akademikë dhe pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi e veçantë të jem sot mes jush në këtë forum, i cili na bashkon rreth një ideje sa të bukur, aq edhe të domosdoshme për kohën tonë: të ndërtojmë së bashku një shoqëri ku zhvillimi i njeriut mbështetet mbi vlera të përhershme shpirtërore, mbi dinjitetin njerëzor, drejtësinë, mëshirën dhe përgjegjësinë e përbashkët.
Koncepti "Shared Sacred Flourishing” shpreh një të vërtetë që Islami e ka vendosur në themel të misionit të tij. Në Islam, lumturia dhe mirëqenia e njeriut nuk kufizohen vetëm në përmbushjen e nevojave materiale. Njeriu është trup dhe shpirt, dhe zhvillimi i tij është i plotë vetëm kur të dyja këto dimensione ecin së bashku. Kur'ani na mëson se Allahu e ka nderuar njeriun dhe i ka dhënë një pozitë të veçantë në krijim. Ky dinjitet është universal; ai nuk kushtëzohet nga përkatësia fetare, etnike apo shoqërore, por është një dhuratë hyjnore që i përket çdo qenieje njerëzore.
Një nga emrat më të bukur të Allahut është Er-Rahman, Mëshiruesi i Gjithëmbarshëm, dhe Er-Rahim, Mëshirëploti. Kjo na kujton se mëshira duhet të jetë themeli i marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: "Mëshironi ata që janë në tokë, që t'ju mëshirojë Ai që është në qiell." Ky mesazh u flet të gjitha kohërave, pra, është universal dhe aktual çdo here.
Në një botë të trazuar nga luftërat, urrejtja, polarizimi dhe padrejtësitë, besimtarët nuk mund të jenë indiferentë. Feja nuk është thjesht një çështje individuale, por edhe një përgjegjësi shoqërore. Ajo na thërret të jemi ndërtues të paqes, mbrojtës të dinjitetit njerëzor dhe shërbëtorë të së mirës së përbashkët.
Kur'ani na mëson: "O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin." Ky ajet nuk flet për përplasje qytetërimesh apo për ndarje mes njerëzve. Ai flet për njohje, respekt dhe bashkëpunim. Pikërisht mbi këtë frymë ndërtohet edhe dialogu ndërfetar.
Dialogu nuk do të thotë të heqim dorë nga bindjet tona fetare. Përkundrazi, ai kërkon që secili ta jetojë besimin e tij me sinqeritet, duke respektuar lirinë dhe dinjitetin e tjetrit. Besimi autentik nuk prodhon urrejtje, por respekt; nuk prodhon dhunë, por paqe; nuk ndërton mure, por ura.
Shqipëria është një dëshmi e gjallë se kjo është e mundur. Bashkëjetesa ndërfetare në vendin tonë nuk është një slogan dhe as një rastësi historike. Ajo është fryt i një kulture të ndërtuar mbi respektin reciprok, mbi njohjen e tjetrit dhe mbi bindjen se dashuria për Zotin nuk bie kurrë në kundërshtim me dashurinë për njeriun.
Komunitetet fetare në Shqipëri kanë treguar vazhdimisht se mund të bashkëpunojnë për çështje që i shërbejnë të gjithë shoqërisë: në edukim, në ndihmën për familjet në nevojë, në përballimin e fatkeqësive natyrore, në promovimin e paqes dhe në mbrojtjen e vlerave njerëzore. Kjo është një trashëgimi për të cilën duhet të jemi krenarë, por edhe një amanet që duhet t'ua përcjellim brezave që vijnë.
Sot kemi nevojë më shumë se kurrë të investojmë te të rinjtë. Ata duhet të edukohen me kulturën e dialogut, të respektit dhe të përgjegjësisë. Nëse nuk u ofrojmë modele të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, boshllëkun mund ta mbushin ekstremizmi, gjuha e urrejtjes dhe indiferenca. Prandaj institucionet fetare, familja, shkolla, universiteti dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku për formimin e brezave që ndërtojnë ura dhe jo barriera.
Po ashtu, nuk mund të flasim për zhvillim të përbashkët pa folur për drejtësinë sociale. Islami na mëson se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme aty ku mbizotëron varfëria, përjashtimi, padrejtësia dhe mungesa e solidaritetit. Kujdesi për të dobëtit, për jetimët, për të moshuarit, për refugjatët dhe për çdo njeri në nevojë është pjesë e besimit tonë dhe një detyrim moral që nuk njeh kufij.
Në të njëjtën kohë, mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi që buron nga besimi. Njeriu është mëkëmbës në tokë, dhe jo shfrytëzues i pakufizuar i saj. Ruajtja e krijimit është një akt adhurimi dhe një detyrim ndaj brezave që do të vijnë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Forume si ky kanë vlerë vetëm nëse mesazhet tona shndërrohen në veprime konkrete. Le të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve fetare, institucioneve publike, akademisë, organizatave të shoqërisë civile, grave dhe të rinjve. Le të krijojmë më shumë hapësira dialogu, më shumë projekte të përbashkëta dhe më shumë nisma që i shërbejnë njeriut, pa dallim feje apo kombësie.
Lutja ime është që Zoti ta bekojë këtë përpjekje të përbashkët, të na japë urtësi në vendimmarrje, sinqeritet në shërbim dhe forcë për të qenë gjithmonë mbështetës të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Allahu e bekoftë Shqipërinë, popullin tonë dhe të gjithë ata që punojnë për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.
Ju faleminderit!
Galeria e Fotove
