Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në selinë e institucionit një delegacion nga shteti i Kuvajtit, i përbërë nga z. Ahmed Abdul Aziz El Fehd, Kryetar i Fondit të Vakëfeve për Davet dhe Ndihma Humanitare – Sekretariati i Përgjithshëm i Vakëfeve në Kuvajt, z. Adil el Xherri, zëvendës kryetar i “Zekat House” në Kuvajt, z. Ganim Al Shahin, zëvëndës drejtor i përgjithshëm për çështjet e projekteve të Fondacionit “Rahme Internacional” Kuvajt, z. Uelijd Al Jasin, Kryetar i Zonës Europiane Fondacioni “Rahme Internacional”, z. Enuer El Kenderij, Financier në Zekat House Kuvajt, si dhe z. Korab Kaja, Drejtori i Fondacionit “Mirësia”.
Kjo vizitë nga të lartëpërmendurit vjen në kuadër të hapjes së Medresesë “Mustafa Varoshi”, dega djem, në Durrës, medrese e cila u inaugurua pak ditë më parë.
Në fjalën e tij hapëse, kryetari Spahiu, ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe i njohu ata shkurtimisht me organikën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, veçanërisht me institucionet arsimore në varësi, organizimin dhe arritjet e tyre ndër vite.
Ndërsa të pranishmit, pasi e falenderuan Kryetarin për mikpritjen, prezantuan shkurtimisht përgjegjësitë e tyre në institucionet përkatëse.
Bashkëbisedimi ndërmjet tyre vijoi duke prekur një sërë tematikash të ndryshme fetare, arsimore dhe sociale.
Në fund të takimit, kryetari Spahiu, i vlerësoi të pranishmit me disa dhurata simbolike për kontributin e tyre të vyer në mbarëvajtjen e projekteve të ndryshme në vendin tonë, përfshi këtu edhe Medresenë “Mustafa Varoshi” me dy filialet e saj.
Gjatë këtij takimi, kryetari Spahiu shoqërohej nga nënkryetari i institucionit, z. Lauren Luli dhe Drejtori i Vakf-Investimeve z. Erlis Mosha.