--:--:--
الفجر--:--
الشروق--:--
الظهر--:--
العصر--:--
المغرب--:--
العشاء--:--
30 korrik 2026Lajme

Zhvillohet edicioni i katërt i Konkursit Ndërkombëtar të Kur’anit Famëlartë për Ballkanin Perëndimor

#KMSH#lajme
Zhvillohet edicioni i katërt i Konkursit Ndërkombëtar të Kur’anit Famëlartë për Ballkanin Perëndimor

Zhvillohet edicioni i katërt i Konkursit Ndërkombëtar të Kur’anit Famëlartë për Ballkanin Perëndimor në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Ky konkurs, i organizuar nga Ministria e Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit e Mbretërisë së Arabisë Saudite, mblodhi edhe këtë vit dhjetëra konkurrentë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia e më gjerë, për të garuar në kategoritë: memorizim i plotë i Kur’anit Famëlartë, memorizim i 10 xhuzëve, memorizim i 5 xhuzëve, memorizim i 2 xhuzëve dhe lexim/recitim i 5 xhuzëve.

Në ceremoninë përmbyllëse, ku u shpërndanë edhe çmimet fituese, ishin të pranishëm: Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, z. Ahmed Harbi, Atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Sarajevë, Shejh Abdullatif bin Nasir Al-Husejni, si dhe kryetarë të bashkësive të tjera islame nga vendet e Ballkanit, myftinj, imamë, studiues dhe familjarë të shumtë të të rinjve garues.

Programi u çel me leximin e disa ajeteve kur’anore nga një prej konkurrentëve të pranishëm, për të vijuar më tej me fjalët përshëndetëse të krerëve të lartpërmendur, të cilët theksuan rëndësinë e përkushtimit ndaj Kur’anit Famëlartë, mbështetjes së hafizëve, si dhe edukimit të brezave të rinj me vlerat islame.

Gjithashtu, u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Arabisë Saudite në promovimin e Kur’anit Famëlartë dhe përhapjen e vlerave të Islamit, tolerancës, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes myslimanëve kudo në botë.

Në këtë konkurs, vendi ynë u përfaqësua nga 30 garues, të cilët fituan dy vendet e para në kategoritë memorizim i 2 xhuzëve dhe lexim/recitim i 5 xhuzëve të Kur’anit Famëlartë, dhe vende të dyta e të treta në kategori të tjera.

Me këtë ceremoni u përmbyll me sukses një tjetër edicion i Garave Ndërkombëtare të Kur’anit Famëlartë, duke dëshmuar edhe një herë se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe vendeve të Rajonit vazhdon të japë fryte të çmuara në promovimin dhe ruajtjen e Kur’anit Famëlartë në mesin tonë.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 9