--:--:--
الفجر--:--
الشروق--:--
الظهر--:--
العصر--:--
المغرب--:--
العشاء--:--
9 gusht 2021Lajme

Urimi i Kryetarit të KMSH-së për Vitin e Ri Hixhri 1443

#KMSH#lajme
Urimi i Kryetarit të KMSH-së për Vitin e Ri Hixhri 1443

Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë, nesër është dita e parë e vitit hixhri (1443). Koha, vlera dhe rëndësia e saj, është ndër gjërat kryesore që na përmend Allahu në Kuran. Viti i parë i numërimit në kalendarin islam është zgjedhur viti i emigrimit të Profetit (a.s.) dhe ndjekësve të tij të parë (sahabëve), nga Meka në Medine. Hixhri është kalendar hënor. Hixhreti (shpërngulja) i myslimanëve është një nga ngjarjet më të rëndësishme në islam. Hixhreti ndryshoi dhe vulosi njëherë e përgjithmonë rrjedhën e ngjarjeve, ishte pika e kthesës nga ku më pas do të plotësohej përcaktimi i Allahut (xh.sh.), për islamin si fe universale dhe Profetin Muhamed (a.s) si vulën e profetëve. Po çfarë simbolizon Hixhreti? Hixhreti nuk është vetëm një dimension fizik, shpërngulje nga një vend në një vend tjetër, hixhreti është edhe dimension shpirtëror, është largim nga e pa drejta dhe rendje drejt së drejtës, është veprim i së mirës dhe largim i së keqes. Është siguri, shpëtim, bindje dhe besim. Kuptimin dhe vlerën veprave në islam ia jep nijeti. Nijeti dhe hixhreti i Profetit (a.s.) dhe myslimanëve ishte për hir të Allahut, për përhapjen e Fjalës së Tij. Hixhreti është frymëzim dhe motiv i fuqishëm për besimtarët e sinqertë. Ai bart në vetëvete idenë e aksionit, ndryshimit dhe rimëkëmbjes, idenë e sendërtimit të porosive të Kuranit dhe Sunetit në çdo kohë. Hixhreti është lëvizje. Lëvizje e madhe shpirtërore, materiale, intelektuale, edukative e sociale. Është mësim nga e kaluara, meditim dhe veprim për të tashmen dhe planifikim drejt së ardhmes. Kjo ngjarje i bëri me dije njerëzimit se respektimi i dinjitetit njerëzor, pa dallim race, gjuhe, vendi, klase, nacionaliteti e fisi, është ardhmëria e vetme e botës. Kohërat ndryshojnë, nijeti jo! Hixhreti i ditëve tona është të ndryshosh zemrën tënde, ta pastrosh atë dhe ta mbushësh me besim e bindje ndaj Allahut (xh.sh.). Të shpërngulësh nga ajo zilinë, smirën, urrejtjen. Ta mbushësh zemrën me dashuri për Allahun, për Profetin (a.s.), për prindërit, për bashkëshorten/in, për fëmijët, për farefisin, për vendin. T’i shërbesh me devotshmëri fesë dhe përhapjes së mesazhit të drejtë e paqësor të islamit. Ne duhet ta përkujtojmë Vitin e Ri Hixhri si retrospektivë, për të kujtuar jetën e Profetit Muhamed (a.s.), dhe ta marrim mënyrën e jetesës së tij si udhërrëfyese të jetës sonë. Prandaj, hixhreti është shans që të rishqyrtojmë nëse e jetojmë frymën e hixhretit, i cili ishte dhe vazhdon të jetë inspirimi më i fuqishëm për besimtarët e sinqertë. Ky duhet të jetë prioriteti i hixhretit tonë në ditët e sotme, qëndrimi në frymë e përkushtim me hixhretin e Profetit Muhamed (a.s.). E lusim Allahun që Viti i Ri Hixhri të jetë ripërtëritje e qenies sonë shpirtërore dhe të forcojë vetëdijen tonë, në mënyrë që kuptimi i hixhretit të jetë kuptimi i jetës sonë. Gëzuar!

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 1