Reagimi zyrtar i KMSH-së për çështjen e emigrantëve afganë

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit Mëshirëbërësit! Të dashur qytetarë, myslimanët anë e kënd botës, këto ditë, janë në muajin e parë të vitit të ri hixhri. Viti i ri në fenë islame është përkujtimi i emigrimit të Profetit Muhamed (a.s.) dhe myslimanëve nga Meka për në Medinë, si shkak i persekutimit dhe përndjekjes. Motra dhe vëllezër, ditët e fundit u njohëm me lajmin se vendi ynë, Shqipëria, do të strehojë qindra mërgimtarë nga Afganistani, të cilët ikin nga përndjekja e regjimit të ri që po vjen në vendin e tyre. Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta. Mysafiri është amanet i Zotit për mikpritësin. Institucionet e vendit dhe aleatët e vendit tonë kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo situatë të menaxhohet më së miri. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për çdo rast. Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës me mërgimtarët për hir të Allahut. I lutemi Zotit të gjithësisë që konfliktet dhe luftërat të marrin fund në çdo vend të botës!
Galeria e Fotove
