--:--:--
الفجر--:--
الشروق--:--
الظهر--:--
العصر--:--
المغرب--:--
العشاء--:--
20 janar 2026Aktivitete

Profesionet në Islam: Parimet Morale, ndikimi dhe e ardhmja e tyre në epokën e Inteligjencës Artificiale

#KMSH#lajme
Profesionet në Islam: Parimet Morale, ndikimi dhe e ardhmja e tyre në epokën e Inteligjencës Artificiale

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë "Profesionet në Islam: Parimet Morale, ndikimi dhe e ardhmja e tyre në epokën e Inteligjencës Artificiale", e cila organizohet nga Ministria e Vakfeve e Egjiptit, në datat 19-21 janar 2026, me ftesë zyrtare të Ministrit Egjiptian të Vakfeve, z. Usame el-Ez’herij.

Si një ndër krerët fetarë pjesëmarrës, kryetari Spahiu mbajti një kumtesë ku foli rreth temës së profesioneve në periudhën e ndritur të profecisë së Profetit Muhamed (s.a.v.s), nga këndvështrimi i evidentimit dhe klasifikimit të tyre, etikës dhe moralit profesional, si dhe dispozitave juridike islame që lidhen me to.

Gjatë kumtesës së tij, ndër të tjera, z. Spahiu tha: “Profesioni, sipas konceptimit profetik, nuk është thjesht një mjet fitimi, por një funksion qytetërues dhe një mision etik. Frymëzimi nga ky model përbën një parathënie thelbësore për trajtimin e sfidave bashkëkohore të tregut të punës, rikthimin e vlerës së përsosmërisë dhe produktivitetit, si dhe ndërtimin e një njeriu produktiv e të balancuar që bashkon përshpirtshmërinë me kompetencën”.

Gjatë konferencës në fjalë, kryetari Spahiu po përfaqëson Komunitetin Mysliman të Shqipërisë duke zhvilluar takime me kryetarë komunitetesh myslimane dhe ministra të çështjeve fetare nga shumë vende të botës.

Gjatë këtij aktiviteti, kryetari Spahiu shoqërohet nga z. Islam Hoxha, Myfti i Kamzës, njëherazi edhe Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH.

Kumtesa e plotë e kryetarit Spahiu

Ky kërkim trajton një studim shkencor dhe analitik mbi temën e profesioneve në periudhën e ndritur të profecisë së Profetit Muhamed (s.a.v.s), nga aspekti i: evidentimit dhe klasifikimit të tyre, etikës dhe moralit profesional, si dhe dispozitave juridike islame që lidhen me to. Gjithashtu, thekson metodologjinë profetike në nxitjen e kreativitetit dhe kompetencës profesionale, si dhe monitoron ndikimin e kësaj metodologjie në ndërtimin e qytetërimit islam përgjatë shekujve. Kërkimi nis nga një problematikë shkencore që konsiston në mungesën e një vizioni të integruar mbi profesionet në epokën profetike në shumë studime ekzistuese, të cilat shpesh kufizohen në trajtime juridike ose ekonomike, pa nxjerrë në pah dimensionin e tyre vleror, qytetërues dhe udhëheqës. Së pari: Profesionet në epokën profetike, evidentimi dhe klasifikimi i tyre Kërkimi tregon se shoqëria e periudhës profetike në Medinën e Ndritur ishte një shoqëri prodhuese me larmi profesionesh, që përfshinte bujqësinë, tregtinë, blegtorinë, zanatet dhe industrinë artizanale e ushtarake, ndërtimin, mjekësinë dhe trajtimin shëndetësor, administrimin dhe shkrimtarinë. Ky diversitet nuk ishte i rastësishëm, por pjesë e një projekti profetik të vetëdijshëm për ndërtimin e një shteti që bazohej në punë dhe kompetencë, që lidhte fitimin me zhvillimin e tokës dhe që rrëzonte konsideratat klasore që ndanin profesionet mes tyre. Së dyti: Etika dhe morali profesional në Traditën Profetike Kërkimi sqaron se Profeti ﷺ themeloi një sistem të plotë të etikës profesionale, në të cilin sinqeriteti dhe përsosmëria u vendosën si bazë e punës, duke lidhur cilësinë e performancës me kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe duke e asociuar punën fizike me adhurimin. Ai nguliti vlerat e ndershmërisë, besnikërisë dhe drejtësisë, dhe ndaloi mashtrimin, hilenë në peshë e masë, monopolizimin dhe shfrytëzimin, duke i konsideruar ato si forma korrupsioni që rrezikojnë stabilitetin e shoqërisë. Tradita profetike garantoi ruajtjen e të drejtave të punëtorit, respektimin e dinjitetit të tij njerëzor dhe arritjen e solidaritetit në ambientin e punës, duke e bërë marrëdhënien profesionale të bazuar në përgjegjësi dhe mëshirë. Së treti: Nxitja e krijimtarisë dhe e dallueshmërisë profesionale nga Profeti ﷺ Kërkimi zbulon një metodë profetike pioniere në zbulimin e talenteve dhe orientimin e energjive, ku Profeti ﷺ i ndante detyrat sipas aftësisë dhe përgatitjes, i inkurajonte të dalluarit dhe i nderonte ata publikisht. Kjo kontribuoi në ndërtimin e një mjedisi motivues për krijimtari dhe konkurrencë të ndershme. Kjo u reflektua në shumë shembuj nga sahabët në fusha si administrimi, shkrimtaria, udhëheqja ushtarake, mjekësia, poezia dhe predikimi fetare, duke dëshmuar gjithëpërfshirjen e vizionit profetik mbi profesionin dhe krijimtarinë. Së katërti: Ndikimi i metodologjisë profetike në historinë islame Kërkimi ndjek shtrirjen e këtij modeli në epokat e mëvonshme islame, duke treguar se halifët (udhëheqësit e shtetit islam pas ndërrimit jetë të Profetit Muhamed (a.s)) e drejtë, e më pas shtetet emevite, abasite, andaluziane dhe osmane, vazhduan mbështetjen e kapaciteteve dhe përkujdesjen ndaj profesioneve. Si pasojë, u shfaqën institucione rregulluese si “hisbeja (Inspektori financiar dhe moral i tregut sipas ligjit islam) dhe grupet zanatçore” (dhe grupet zanatçore), lulëzuan industritë, shkencat dhe artet, dhe kjo kontribuoi në ndërtimin e një qytetërimi të balancuar që bashkoi përparimin material me angazhimin moral e etik. Kërkimi thekson gjithashtu kontributin e mendimit islam në rrënjosjen e vlerës së punës dhe profesionit si dy shtylla themelore të zhvillimit dhe dinjitetit njerëzor. Përfundimi Kërkimi arrin në përfundimin se profesioni, sipas konceptimit profetik, nuk është thjesht një mjet fitimi, por një funksion qytetërues dhe një mision etik. Frymëzimi nga ky model përbën një parathënie thelbësore për trajtimin e sfidave bashkëkohore të tregut të punës, rikthimin e vlerës së përsosmërisë dhe produktivitetit, si dhe ndërtimin e një njeriu produktiv e të balancuar që bashkon përshpirtshmërinë me kompetencën. Në përmbyllje të kësaj kumtese, kam kënaqësinë të shpreh falënderimet dhe vlerësimin më të sinqertë për Republikën Arabe të Egjiptit, tokën e el-Ez’herit të mirënjohur, fanarit të rrugës së moderuar dhe dijes, për kujdesin ndaj konferencave serioze shkencore dhe mbështetjen e tyre. Po ashtu, shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Abdul-Fetah el-Sisi, kujdestarit të kësaj konference, për përkushtimin e vazhdueshëm në forcimin e rolit të institucioneve fetare dhe shkencore dhe në rrënjosjen e kulturës së punës dhe ndërtimit. Gjithashtu, falënderoj Ministrinë Egjiptiane të Vakëfeve, e përfaqësuar nga Shkëlqesia e Tij, Prof. Dr. Usame el-Ezherij, Ministër i Vakëfeve, për përpjekjet e tij shkencore dhe intelektuale të sinqerta në rinovimin e diskursit fetar dhe në lidhjen e traditës profetike me vlerat praktike dhe ato të civilizimit. Falënderime të veçanta për Shkëlqesinë e Tij dhe për ekipin e tij të nderuar. Duke iu lutur Allahut të Lartësuar që t’i bekojë këto përpjekje dhe t’i ruajë Egjiptit sigurinë, udhëheqjen dhe rolin e tij të rëndësishëm shkencor e qytetërues.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 12