Ndërron jetë H. Ibrahim Balla

“Inna lil’lahi ue inna ilejhi raxhiun…” (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi)
Sot, më 24 shkurt 2015, është ndarë nga jeta H. Ibrahim Balla, ish-drejtor i Medresesë së Tiranës në vitet 1991-1998. Lindi në Farkë të Tiranës më 10.09.1930, në një familje arsimdashëse fetare. Në vitin 1945 prindërit e dërgojnë për të kryer studimet e arsimit 7 vjeçar e të mesëm në Medresenë e Tiranës. Dallohet që në fillim për përkushtim ndaj mësimit e kulturës fetare dhe radhitet ndër nxënësit elitarë të shkollës. Në vitin 1951 përfundon studimet e diplomohet me maturën e Medresesë me rezultate të shkëlqyera. Drejtoria e shkollës i propozon Komunitetit Mysliman që të emërohet mësues i lëndëve fetare në Medrese. Aprovohet e menjëherë fillon punën e mësuesit aty. Komuniteti Mysliman, duke parë aftësitë e Ibrahimit dhe sjelljen shembullore të tij, kërkoi shkëputjen e tij nga arsimi për t’u bërë pjesë e administratës së institucionit. Emërohet drejtor i administratës financiare. Dallohet në këtë detyrë e më vonë i ofrojnë detyrën e Zv. Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe sekretarit të përgjithshëm, detyrë të cilën e kryen me shumë përkushtim. Pas ndalimit të fesë, Ibrahimi u bë shembull persekutimi. Përjetoi diskriminimet me fletë-rrufe në mesin e Tiranës, ku nxitesh rinia për ta poshtëruar atë. Pas një viti, kur ishin shkatërruar të gjitha institucionet fetare, Ibrahimin e thirrën për ta emëruar mësues në fshatin më të thellë të Tiranës, Zall-Bastar. Punon në arsim edhe në fshatra të tjerë si Surrel, Priskë, Farkë e Shkozë derisa del në pension në vitin 1985. Përmbysja e pushtetit komunist solli ditë të bukura e të reja për Ibrahimin. Ai do të ishte iniciatori i hapjes e inaugurimit të parë të fesë në Tiranë në Xhaminë e Sahatit. Ai bëhet pjesë e themelimit të Komunitetit Mysliman dhe emërohet drejtor i Medresesë së Tiranës. Sjellja e tij shembullore me nxënësit e kolegët e bëri Ibrahimin figurë popullore. Shkëputet në vitin 1998 nga Medreseja për t’iu përkushtuar detyrave fetare. I palodhur, i kudondodhur Ibrahimi vazhdoi punën në shërbim të Fesë Islame. Misioni i tij mbeti si protagonist i personalitetit të një teologu të ndershëm, të ditur dhe të ngritur me ndjeshmëri dhe vizion për Islamin. Komuniteti Mysliman, kolegët e tij të rinj dhe të vjetër, ish nxënësit e tij, xhemati i qytetit të Tiranës, njohës të tij nga e gjithë Shqipëria, do ta kujtojnë H. Ibrahim Ballën si një besimtar të devotshëm, si mik të sinqertë, si një person që kurrë dhe askush nuk mundi ta ndajë nga udha e Zotit, si një person që askush nuk mundi ta shtyjë jashtë rrugës së besimit islam. Ai do të mbetet ndër breza si një shembull udhëheqës për në rrugën e drejtë. Allahu pastë mëshirë për shpirtin e tij të pastër!
Galeria e Fotove
