Kryetari Spahiu merr pjesë në simpoziumin shkencor ndërkombëtar të organizuar nga KMSHZ

Kryetari Spahiu merr pjesë në simpoziumin shkencor ndërkombëtar të organizuar nga KMSHZ
Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) zhvilloi ditën e djeshme një simpozium shkencor ndërkombëtar, me temë: “Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”.
Ky organizim mblodhi së bashku drejtues komunitetesh fetare nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës, imamë, studiues, pedagogë, dhe aktivistë.
Me ftesë të Kryetarit të KMSHZ-së, z. Mehas Alija, i pranishëm në këtë simpozium ishte edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i shoqëruar nga Nënkryetari i institucionit, z. Lauren Luli.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Spahiu vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në mërgatë dhe theksoi përgjegjësinë për të ruajtur unitetin, bashkëpunimin dhe vlerat fetare e kombëtare.
“Xhamitë shqiptare në mërgatë nuk janë thjesht objekte adhurimi. Ato janë shtëpitë e shpirtit shqiptar – vende ku ruhet gjuha, përkujtohet atdheu, dhe mësohet se si feja dhe kombi nuk janë dy shtylla që përplasen, por dy drita që ndriçojnë njëri-tjetrin”, tha ndër të tjera Kryetari i KMSH-së.
Ndërkohë, Nënkryetari Luli, ishte moderator i një prej sesioneve të këtij simpoziumi.
Në referimet e tyre, pjesëmarrësit theksuan se xhamitë shqiptare në diasporë nuk janë vetëm vende adhurimi, por institucione të gjalla që ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë të përbashkët. Në këtë kuadër u prezantuan kumtesa me vlera studimore, të cilat trajtuan rolin historik e bashkëkohor të xhamive shqiptare në Evropë, përgjegjësitë e imamëve në edukimin e brezave, funksionin e xhamisë si hapësirë dialogu e solidariteti, sfidat e organizimit komunitar në mërgatë dhe domosdoshmërinë e një identiteti të shëndoshë fetar e kombëtar.
Përmes analizave dhe përvojave konkrete, simpoziumi solli një mesazh të përbashkët mbi nevojën e unitetit, bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të praktikave të mira midis qendrave islame të diasporës dhe trojeve shqiptare, duke u vlerësuar si një nismë e rëndësishme që forcon rrënjët shpirtërore dhe zgjeron horizontet e veprimtarisë islame shqiptare në Evropë.
Galeria e Fotove
