Kryetari i KMSH-së merr pjesë në punimet e Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në punimet e Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”, i zhvilluar në Tiranë, ku u mblodhën përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve ndërfetare dhe organizatave ndërkombëtare nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë.
Forumi Evropian “Shared Sacred Flourishing” mblodhi në Tiranë drejtues fetarë, akademikë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave ndërkombëtare nga vende të ndryshme të Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I organizuar nga Religions for Peace International, European National Interreligious Bodies dhe Religions for Peace Europe, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe komunitetet fetare në vend, forumi synoi të nxisë dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, të forcojë bashkëpunimin mes aktorëve fetarë e shoqërorë, si dhe të promovojë kontributin e besimit në ndërtimin e paqes, kohezionit social, drejtësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse se zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë ndërtohet mbi vlera të përhershme shpirtërore, si dinjiteti njerëzor, drejtësia, mëshira dhe përgjegjësia e përbashkët. Duke u ndalur te tema e forumit, “Shared Sacred Flourishing”, ai nënvizoi se Islami e sheh mirëqenien e njeriut si një tërësi që përfshin si dimensionin material, ashtu edhe atë shpirtëror, ndërsa dinjiteti njerëzor është një vlerë universale që i përket çdo qenieje.
Më tej, kryetari Spahiu vuri në dukje rëndësinë e dialogut ndërfetar, duke theksuar se ai nuk kërkon heqjen dorë nga bindjet fetare, por respektimin e lirisë dhe dinjitetit të tjetrit. Sipas tij, besimi autentik ndërton ura mirëkuptimi dhe shërben si faktor i rëndësishëm në forcimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.
Duke sjellë në vëmendje modelin shqiptar të harmonisë ndërfetare, kryetari i KMSH-së e cilësoi atë një dëshmi të bashkëpunimit të frytshëm mes komuniteteve fetare në shërbim të shoqërisë. Në përfundim, ai bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare, publike, akademike dhe shoqërisë civile, me qëllim shndërrimin e dialogut në nisma konkrete në shërbim të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Galeria e Fotove
