--:--:--
الفجر--:--
الشروق--:--
الظهر--:--
العصر--:--
المغرب--:--
العشاء--:--
15 gusht 2026Lajme

Inaugurohet xhamia e re e lagjes Tophanë në qytetin e Shkodrës

#KMSH#lajme
Inaugurohet xhamia e re e lagjes Tophanë në qytetin e Shkodrës

Ditën e djeshme, hapi dyert për të gjithë besimtarët e qytetit dhe jo vetëm, xhamia më e re e Shkodrës, Xhamia e Tophanës, e cila u ndërtua nga “Qatar Charity”, një event i shumëpritur për të gjithë besimtarët e këtij qyteti.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtori i “Qatar Charity”, z. Kerem Ali, Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, si dhe hoxhallarë të shumtë të qytetit, drejtues institucionesh të ndryshme, banorë të lagjes Tophanë, si dhe besimtarë të shumtë të Shkodrës.

Aktiviteti filloi me prerjen simbolike të shiritit të inaugurimit të xhamisë nga të lartpërmendurit, për të vijuar me një program të shkurtër në ambientet e saj.

Programi u çel me leximin e disa ajeteve kuranore nga teologu Gëzim Dungaj.

Më pas, të pranishmit i përshëndeti Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, i cili u uroi mirëseardhjen besimtarëve të pranishëm në këtë eveniment kaq të shumëpritur për të gjithë. Po ashtu, ai shprehu falënderimet e tij për këtë bashkëpunim të frytshëm me “Qatar Charity”, për ndërtimin e xhamisë së Tophanës, një xhami me domethënie të veçantë për këtë lagje, e ndërtuar fillimisht 421 vite më parë në të njëjtin vend nga bamirësi Mustafa Efendiu, hatib i xhamisë së Tophanës.

Ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili u ndal te roli dhe rëndësia e xhamive në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Ai theksoi se xhamia nuk është vetëm një hapësirë adhurimi, por edhe një vatër e rëndësishme edukimi, dijeje dhe kultivimi të vlerave, duke kontribuar në formimin e individëve me karakter të shëndoshë, të përgjegjshëm dhe të dobishëm për familjen dhe shoqërinë.

Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu shprehu gjithashtu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar të “Qatar Charity”, duke vlerësuar mbështetjen e tyre në projekte dhe iniciativa që i shërbejnë anë e mbanë vendit tonë.

Më tej, z. Kerem Ali, drejtor i “Qatar Charity”, shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe Myftininë Shkodër, për realizimin e këtij projekti të domosdoshëm për qytetin e Shkodrës dhe ftoi besimtarët ta mirëmbajnë e ta frekuentojnë sa më shumë atë.

Në përfundim të ceremonisë, Myftiu i Shkodrës ndau pllakën përkujtimore të xhamisë së re të Tophanës si një dhuratë simbolike për Kryetarin e KMSH-së, z. Spahiu, për drejtorin e “Qatar Charity”, z. Kerem Ali, për H. Shuajb Golemin dhe z. Pertef Currin.

Në përfundim të aktivitetit, Kryetari Spahiu mbajti hutben e xhumasë së parë në këtë xhami.

Në hutben e tij, Kryetari Spahiu u ndal te rëndësia e muajit Rabiul-Evvel dhe përkujtimi i lindjes së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit ﷺ, duke theksuar se dashuria dhe nderimi për Profetin ﷺ duhet të shprehen përmes ndjekjes së shembullit dhe traditës së tij.

Gjatë këtij aktiviteti, Kryetari Spahiu, u shoqërua nga Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, z. Ejup Lila.

Allahu i shpërbleftë e i begatoftë me mirësi të gjithë bamirësit dhe ata që kontribuuan në forma të ndryshme për t’i dhënë jetë kësaj xhamie.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 43