Frytet e Besimit ndalen në qytetin bregdetar të Vlorës

Në xhaminë “Neshat Pashaj” në qytetin bregdetar të Vlorës, u zhvillua mbrëmja e radhës fetare në kuadër të ciklit të ligjëratave “Frytet e Besimit”
Programi u hap me fjalën e imamit të xhamisë, z. Mirandi Shehaj, i cili ndali vëmendjen te vlera e madhe që kanë mexhliset e dijes. Ai theksoi se në këto tubime të begata jo vetëm që zgjerohet dija dhe forcohet besimi, por mbi të gjitha fitohen mëshira dhe qetësia shpirtërore.
Më pas, z. Erjol Haxhiu, Drejtor i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, u ndal në disa reflektime mbi ajetet e sures “Huxhurat”, duke e cilësuar atë si “sureja e moralit”. Ai nënvizoi rëndësinë e verifikimit të lajmeve që marrim, veçanërisht kur bëhet fjalë për rrjetet sociale, bëri thirrje për vëllazëri e solidaritet, qëndrim ndaj bullizmit dhe kujdes të shtuar për sjelljet e fëmijëve në institucionet arsimore.
Në vijim, z. Shpëtim Seranaj, Drejtor i Marrëdhënieve me Besimtarët në KMSH, foli mbi rëndësinë e duasë si mjet i domosdoshëm për plotësimin e nevojave, largimin e shqetësimeve dhe si formë e lartë adhurimi ndaj Allahut (xh.sh).
Myftiu i Vlorës, z. Ardit Hoxhllaku, falënderoi xhematin për pjesëmarrjen dhe theksoi se mbrëmje të tilla janë të domosdoshme për të forcuar lidhjet mes besimtarëve, për të ndarë shqetësimet dhe për të kontribuar aktivisht në zgjidhjen e problemeve që prekin shoqërinë tonë.
Në përfundim të kësaj mbrëmjeje, për pjesëmarrësit u shpërnda ujë zemzemi.
Galeria e Fotove
