--:--:--
الفجر--:--
الشروق--:--
الظهر--:--
العصر--:--
المغرب--:--
العشاء--:--
16 tetor 2025Aktivitete

Frytet e besimit ndalen në Bulqizë

#KMSH#lajme
Frytet e besimit ndalen në Bulqizë

Ditën e djeshme, pas namazit të akshamit, në xhaminë e qytetit të Bulqizës u zhvillua mbrëmja e radhës fetare si pjesë e ciklit “Frytet e Besimit”, e cila mblodhi besimtarët në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore.

Aktiviteti u çel me përshëndetjen e Myftiut të Bulqizës, z. Sejdin Strazimiri, i cili theksoi vlerën dhe freskinë shpirtërore që sjellin mbrëmje të tilla për besimtarët në rrethe.

Më pas, Myftiu i Dibrës, z. Muis Kurtulla, ndau me të pranishmit urtësitë dhe dobitë e duas së sinqertë, duke e cilësuar atë si lidhjen më të fortë mes njeriut dhe Krijuesit.

Në vijim, z. Erjol Haxhiu, Drejtor i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, foli mbi frytet e besimit në këtë botë, duke theksuar se besimi i sinqertë është burim qetësie, qëndrueshmërie dhe shprese për çdo besimtar.

Ndërsa z. Shpëtim Seranaj, Drejtor i Marrëdhënieve me Besimtarët në KMSH, trajtoi temën e fryteve të besimit në ahiret, duke sjellë mesazhe frymëzuese mbi shpërblimin dhe mëshirën hyjnore për ata që jetojnë me devotshmëri.

I pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe z. Kliton Malaj, imam i xhamisë “Mahmud Vrapi” në Tiranë, i cili foli shkurtimisht mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në mexhlise të tilla, që forcojnë vëllazërinë dhe dashurinë mes besimtarëve.

Mbrëmja u mbyll në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, ku të pranishmit patën mundësinë të konsumojnë ujë zemzemi, të sjellë posaçërisht për këtë rast.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 7