--:--:--
الفجر--:--
الشروق--:--
الظهر--:--
العصر--:--
المغرب--:--
العشاء--:--
18 janar 2026Lajme

35-vjetori i rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut

#KMSH#lajme
35-vjetori i rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi një ceremoni përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut, një nga simbolet më të rëndësishme të rikthimit të lirisë së besimit në Shqipëri.

Aktiviteti u zhvillua mbrëmë pas faljes së namazit të akshamit. Programi nisi me lexim Kurani nga Hafiz Enes Hyka. Më pas, imami i Xhamisë së Et’hem Beut, Elton Karaj hapi programin kushtuar kësaj date historike.

Në vijim, u shfaq një video e shkurtër përmbledhëse mbi ngjarjen e rihapjes së xhamisë dhe kontekstin historik të asaj periudhe, duke rikujtuar momentet kyçe të rikthimit të besimit fetar pas dekadash ndalimi.

Më pas, fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për historinë e fesë islame në vend dhe rolin e Xhamisë së Et’hem Beut si simbol i lirisë së besimit.

Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua dëshmive të atyre që përjetuan drejtpërdrejt periudhën e ndalimit të fesë. Ata ndanë me të pranishmit vështirësitë e asaj kohe, sakrificat e bëra dhe emocionet e papërshkrueshme të rikthimit të lirisë së besimit në Shqipëri.

Ceremonia përkujtimore u shndërrua në një moment emocionesh të forta për të gjithë të pranishmit. Kujtimet e dhimbshme të së kaluarës, por edhe gëzimi i rikthimit të besimit, u reflektuan në fytyrat dhe reagimet e besimtarëve, duke e bërë këtë aktivitet një dëshmi të gjallë të qëndresës dhe besimit të palëkundur. Mesazhet e përcjella patën një domethënie të veçantë për brezin e ri, si thirrje për të njohur historinë dhe për të ruajtur lirinë e fituar me sakrifica.

Në kuadër të kësaj ceremonie, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ndau certifikata vlerësimi në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në shërbim të Xhamisë së Et’hem Beut dhe ringjalljen e jetës fetare pas rihapjes së saj. (Pas vdekjes) u vlerësuan:

Gjithashtu, u vlerësuan me certifikata mirënjohjeje personalitete që i përkasin brezit të maturantëve të Medresesë së Tiranës, të cilët ruajtën besimin gjatë periudhës së regjimit komunist dhe, pas rihapjes së fesë, shërbyen me përkushtim në vende dhe role të ndryshme. Ata kontribuuan si funksionarë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, imamë, drejtues institucionesh dhe shkollash, si dhe në fusha të ndryshme të veprimtarisë fetare, arsimore dhe institucionale, duke dhënë një ndihmesë të vyer në forcimin e vlerave shpirtërore dhe ruajtjen e identitetit fetar. Me këtë rast u vlerësuan: Z. Xhemal Balla, Z. Sabri Hushi, Z. Ali Hoxha, Z. Idriz Zeneli, Z. Ismail Dizdari, Z. Mehdi Cani dhe Z. Mahmud Xhombulla .

Në përmbyllje, ceremonia përkujtimore për 35-vjetorin e rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut ishte një dëshmi e gjallë e qëndresës, besimit dhe përkushtimit të brezave që ruajtën dhe ringjallën jetën fetare në Shqipëri. Kjo ngjarje shërbeu si një moment reflektimi dhe frymëzimi për të ardhmen, duke forcuar përgjegjësinë për ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe identitetit fetar.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 30