Zhvillohet seminari i parë trajnues për haxhin e këtij viti

Zyra e Haxhit dhe Umres pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi seminarin e parë trajnues me besimtarët e regjistruar për kryerjen e Haxhit të këtij viti.
Aktiviteti u zhvillua gjatë kësaj fundjave në ambientet e Universitetit Bedër, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin udhëzime të detajuara mbi organizimin dhe aspektet praktike e shpirtërore të këtij rituali të rëndësishëm islam.
Gjatë seminarit, koordinatori i Haxhit dhe Umres në KMSH, njëherazi edhe nënkryetari i institucionit, z. Lauren Luli, ndau me të pranishmit informacione të përgjithshme mbi ndalesat e Haxhit, si Mina, Arafat, Muzdelife, Xhemarate etj., duke u ndalur gjithashtu tek aspekti shpirtëror i këtij udhëtimi të veçantë.
Më tej, zëvendëskoordinatori z. Erjol Haxhiu theksoi domosdoshmërinë e ndjekjes së udhëzimeve përmes murshidëve, si dhe rëndësinë e organizimit të grupeve, duke e konsideruar këtë një element kyç për mbarëvajtjen e Haxhit.
Në vijim të programit, z. Shpëtim Seranaj trajtoi në mënyrë praktike çështjen e veshjes së ihramit dhe qëndrimit në të, duke e demonstruar atë dhe duke sqaruar çdo detaj që lidhet me këtë aspekt të rëndësishëm të ritualit.
Një hapësirë e veçantë e këtij seminari iu kushtua edhe shëndetit fizik. Doktori i Haxhit, z. Enver Bami, theksoi rëndësinë e ruajtjes së një gjendjeje të mirë fizike, duke këshilluar ndjekjen e udhëzimeve paraprake shëndetësore si një faktor thelbësor në përballimin e situatave apo komplikacioneve të mundshme.
Ky seminar shënoi një hap të rëndësishëm në përgatitjen e besimtarëve, duke ofruar një qasje të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse që synon jo vetëm aspektin praktik dhe organizativ, por edhe atë shpirtëror, si pjesë e pandashme e përmbushjes së kësaj shtylle të Islamit.
Galeria e Fotove
