Zhvillohet Olimpiada e Lëndëve Fetare

Drejtoria e Arsimit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi olimpiadën e përvitshme të lëndëve fetare ndërmjet nxënësve të medreseve të institucionit.
Faza e parë, e cila u zhvillua ditën e shtunë në ambientet e Medresesë së Tiranës, përfshiu testimin me shkrim në lëndët Gjuhë Arabe, Fikh dhe Besim. Në këtë fazë morën pjesë rreth 55 nxënës të përzgjedhur nga të gjitha medresetë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në hapje të aktivitetit, Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, falënderoi nxënësit dhe mësuesit për angazhimin dhe pjesëmarrjen, duke e vlerësuar këtë olimpiadë si një model të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë islame. Ai prezantoi gjithashtu rregullat dhe udhëzimet për zhvillimin e një procesi sa më korrekt dhe transparent.
Faza e dytë e kësaj olimpiade do të zhvillohet javën e ardhshme në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër, ku pritet të marrin pjesë mbi 50 nxënës. Kjo fazë do të përfshijë katër kategori në leximin e Kuranit Famëlartë, ndërsa në përfundim do të shpallen fituesit e secilës kategori dhe do të ndahen certifikatat dhe çmimet për fituesit.
Olimpiada e Lëndëve Fetare mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme vjetore të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fushën e arsimit fetar.
Galeria e Fotove
