Zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit të Përgjithshëm për vitin 2026

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi ditën e shtunë mbledhjen e parë për vitin 2026, në ambientet e Medresesë së Tiranës.
Mbledhja u çel me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, për të vijuar më pas me fjalën hapëse të Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, i cili u uroi mirëseardhjen anëtarëve dhe i njohu ata me rendin e ditës.
Më pas, fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili falënderoi anëtarët për angazhimin dhe kontributin e tyre, si dhe bëri një përmbledhje të disa prej pikave kryesore që çdo përfaqësues i institucionit duhet të ketë parasysh gjatë komunikimit me besimtarët dhe në publik, duke theksuar rëndësinë e etikës, përgjegjshmërisë dhe përçimit korrekt të mesazhit islam.
Në vijim u prezantua raporti i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm nga z. Islam Hoxha, ku u trajtuan zhvillimet kryesore në aspektin fetar dhe administrativ.
Kancelari i KMSH-së, z. Fejzi Shaholli, paraqiti më pas një raport të detajuar mbi veprimtarinë e Kryetarit, aktivitetin e drejtorive dhe vendimet e kryesisë mes dy mbledhjeve.
Më tej, drejtori i Financave, z. Edison Hoti, prezantoi para anëtarëve auditin e zhvilluar nga një ekspert i jashtëm në disa myftini, duke nxjerrë në pah pikat kryesore të këtij auditimi dhe sugjerimet për përmirësim.
Më pas, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, z. Ejup Lila, prezantoi disa nga zhvillimet më të fundit të aktivitetit online të institucionit, si aplikacionin zyrtar të KMSH-së (kërko “KMSH” në App Store dhe Play Store), ueb-faqen e re kmsh.al, sistemin e kohëve të namazit namaz.kmsh.al, Chrome Extension (Quran & Adhan Time) dhe Meta Portfolio, të gjitha këto me synimin për të qenë sa më afër dhe në shërbim të besimtarëve.
Mbledhja u mbyll me diskutime nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm mbi çështje dhe sugjerime që synojnë forcimin dhe përmirësimin e mëtejshëm institucional.
Galeria e Fotove
