--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
18 maj 2026Lajme

Zhvillohet faza e dytë e olimpiadës së lëndëve fetare

#KMSH#lajme
Zhvillohet faza e dytë e olimpiadës së lëndëve fetare

Zhvillohet faza e dytë e olimpiadës së lëndëve fetare ndërmjet nxënësve të medreseve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në ambientet e Kolegjit Universitar “Beder”.

Kjo fazë mblodhi së bashku rreth 59 nxënës, të cilët garuan në katër kategori në leximin e Kuranit Famëlartë.

Në përfundim të saj, u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për fituesit e çdo kategorie, në të cilën ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Rektori i Kolegjit Universitar “Beder”, Prof. Dr. Gjergji Sinani, Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, përfaqësues të medreseve të institucionit, myftinj, imamë dhe nxënësit e shumtë që morën pjesë në këtë fazë të fundit të olimpiadës.

Në fjalën e tij hapëse, Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Karaj, ndau me të pranishmit ecurinë e olimpiadës së këtij viti, si edhe arritjet dhe sfidat që kanë shoqëruar organizimin e saj. Më tej, ai falënderoi nxënësit për pjesëmarrjen dhe përkushtimin e treguar, stafet e medreseve përkatëse për bashkëpunimin dhe angazhimin e vazhdueshëm, si edhe mësuesit e prindërit për mbështetjen dhe motivimin e të rinjve.

Ndërsa, kryetari Spahiu, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi përkushtimin e nxënësve ndaj dijes islame, Kuranit dhe vlerave morale që përcjell feja jonë. Ai theksoi se kjo olimpiadë nuk është vetëm një garë, por një dëshmi e edukimit, disiplinës dhe dashurisë për fenë në tërësi.

“Në një kohë kur të rinjtë përballen me shumë sfida, fakti që ju zgjidhni të angazhoheni me dije, edukim dhe vlera fetare është një mesazh shumë i fortë për të gjithë ne. Medresetë tona kanë qenë gjithmonë vatër e dijes, edukimit dhe formimit të personalitetit të shëndoshë moral e qytetar, dhe ju jeni fryti më i bukur i këtij misioni.” – tha ai.

Më tej, të pranishmit i përshëndetën gjithashtu edhe Rektori i KU “Beder”, Prof. Dr. Gjergji Sinani, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame, z. Jamal Al Saferti, si dhe Dekani i Studentëve, znj. Rudina Çinari. Në fjalët e tyre, ata përcollën vlerësime për organizimin e olimpiadës dhe përkushtimin e nxënësve.

Ceremonia vijoi më tej me ndarjen e certifikatave dhe çmimeve përkatëse për 53 fituesit e kësaj olimpiade në të dy fazat e saj.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u uron suksese të gjithë pjesëmarrësve!

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 41