Vazhdon transmetimin emisioni “Me syrin e zemrës”
Emisioni “Me syrin e zemrës”, që transmetohet çdo të hënë dhe të enjte në Tv Ora News, ka vijuar ditën e hënë, më 15 korrik 2013, me një bashkëbisedim me myftiun e Tiranës, H. Ylli Gurra dhe teologun Ferid Piku.
“Namazi”, ka qenë tema e radhës, që ka zhvilluar moderatori i këtij emisioni Armand Bora me dy të ftuarit e radhës.
Gjatë bisedës, të dy teologët i janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme në lidhje me vlerat, dobitë dhe favoret që namazi i ofron njeriut në jetën e tij materiale e shpirtërore.
Myftiu Gurra shpjegoi disa nga veçoritë më të spikatura të namazit dhe lidhjen e tij me shtyllat e tjera të Islamit. Sipas tij, vlerën e namazit Zoti e shpreh me këto fjalë në Kur’an: “Vazhdoni rregullisht kryerjen e faljes së namazit … dhe të jeni të respektues ndaj Allahut (në namaz)”. Ndërsa Profeti (a.s.) kur është pyetur se cila punë është më e dashur tek Allahu? Është përgjigjur: “ Namazi në kohën e vet”.
“Në mëngjes çdo mysliman ngrihet para lindjes së diellit, kthehet nga kibla dhe qëndron para madhërisë së Allahut (xh.sh) duke e filluar ditën e tij me namaz. I lutet Zotit dhe kërkon prej Tij që ta udhëzojë në rrugë të mbarë. Vjen mesdita dhe besimtari ka nevojë për ripërtërirjen e forcave, çohet merr abdes, freskohet e hyn në namaz në prezencën e Zotit (xh.sh) të cilin e falënderon për të mirat që i ka dhënë dhe kërkon prej tij kujdes dhe vëmendje hyjnore. Kështu hyn në udhën e qetësisë shpirtërore dhe çlirimin e pjesëve trupore duke u mbështetur plotësisht në forcën e Allahut, ku gjen shlodhje dhe furnizim fiziko-shpirtëror. Kështu vazhdon besimtari rrugën e ditës së tij me punë e kujtesë për Allahun, elemente të pandashëm në jetën e tij”, u shpreh Myftiu Gurra.
Ndërsa teologu Piku është shprehur se namazi, ashtu si dhe adhurimet e tjera, nuk duhet të shihet si barrë, por si një mundësi për pastrim dhe lartësim shpirtëror, ku përfitues direkt është vetë njeriu. Ai gjithashtu i është përgjigjur edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me pretendimin e disa njerëzve që thonë se besimi është i mjaftueshëm dhe nuk është nevoja të shoqërohet me vepra, për të cilat Zoti është i panevojshëm, duke arsyetuar se “besimi duhet me patjetër të shoqërohet me vepra, pasi veprat janë tregues i asaj që njeriu ka në zemër.
Ndërsa Myftiu Gurra është ndaluar edhe në dimension shoqëror të namazit, duke theksuar se falja e përbashkët në xhami është më e vlerësuar në sytë e Zotit dhe se nëpërmjet saj synohet vëllazërimi i tyre me njëri-tjetrin.
Edhe ky emision, ashtu si dy emisionet e zhvilluara më herët, ka shërbyer si një mundësi e mirë për njohjen dhe kuptimin e praktikave adhurimore islame dhe mirësitë që ato ofrojnë për individin dhe shoqërinë në tërësi.
Emisioni “Me syrin e zemrës” me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe moderator Armand Bora, transmetohet LIVE (drejtpërsëdrejti) duke filluar nga ora 19.00 deri në 19.50 në TV Ora News, si dhe në faqen zyrtare Gjithashtu ky program mund të ndiqet në paketën dixhitale tokësore dhe satelitore “Digitalb”.
Galeria e Fotove
