--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
29 prill 2026Lajme

Simpoziumi i XIV Akademik Ndërfetar dhe Ndërteologjik

#KMSH#lajme
Simpoziumi i XIV Akademik Ndërfetar dhe Ndërteologjik

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, mori pjesë në Simpoziumin e XIV Akademik Ndërfetar dhe Ndërteologjik, të zhvilluar në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, me temë “Roli i Krishterimit dhe Islamit në Trajtimin e Çështjeve Klimatike”.

Ky aktivitet, i cili është pjesë e projektit Erasmus+ për edukimin mjedisor dhe paqen, u zhvillua nga tre institucionet kryesore teologjike në Shqipëri: Departamenti i Shkencave Islame në KU “Bedër”, Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës (Logos) dhe Instituti i Filozofisë dhe Teologjisë Katolike.

Të pranishëm ishin H. Taulant Bica, nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturi Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Mons. Gjergj Meta, kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, drejtues institucionesh, si dhe akademikë e studentë të shumtë.

Në fjalën e tij hapëse, Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Gjergji Sinani, theksoi nevojën që shkenca dhe feja të bashkëpunojnë ngushtë për të edukuar brezat e rinj me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj mjedisit.

Ndërsa nënkryetari Bica, në fjalën e tij të rastit, theksoi se ndryshimet klimatike nuk janë më një çështje e largët, por një realitet që prek përditshmërinë e njerëzve, duke e cilësuar këtë sfidë jo vetëm si teknike apo politike, por mbi të gjitha si morale dhe ndërgjegjësore. Në këtë kontekst, ai vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm të fesë në edukimin e njeriut me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetes, të tjerëve dhe gjithë krijimit.

“Marrëdhënia e njeriut me natyrën është e ndërtuar mbi përgjegjësi dhe amanet. Zoti thotë në Kur’an: ‘Mos bëni çrregullime në tokë pasi ajo është rregulluar.’ (El-A‘raf, 7:56). Ky është një parim shumë i qartë. Toka është krijuar në harmoni dhe ekuilibër, dhe çdo veprim që e prish këtë ekuilibër është një shkelje e këtij amaneti. Njeriu nuk është pronar absolut i tokës, por kujdestar i saj.” – veçoi ai gjatë fjalës së tij.

Simpoziumi vijoi më tej me fjalët përshëndetëse të liderëve fetarë të lartpërmendur, të cilët theksuan se kriza klimatike nuk është vetëm një problem teknik, por mbi të gjitha një sfidë morale dhe shpirtërore që kërkon solidaritet dhe përgjegjësi nga të gjithë ne.

Ndërsa ligjëruesja kryesore nga Vjena, Prof. Sylvia Inou Tchatchoua, solli një perspektivë ndërkombëtare mbi edukimin ekologjik.

Në seancën shkencore të këtij simpoziumi, studiuesit Thoma Çomëni, Dom Simo Ljuljić dhe Rudina Çinari parashtruan për të pranishmit tezat e tyre teologjike dhe etike mbi mbrojtjen e mjedisit.

Më tej, studentët e të tre teologjive që bënë të mundur organizimin e këtij eventi, të ndarë në grupe të vogla pune, bashkëpunuan për të propozuar ide mbi rolin e edukimit qytetar në mbrojtjen e klimës.

Në përmbyllje, pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata dhe dhurata për fituesit e një konkursi të zhvilluar në përfundim të simpoziumit.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 29