--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
23 tetor 2023Aktivitete

Përurohet xhamia "Ymer Prizreni" në Graz të Austrisë

#KMSH#lajme
Përurohet xhamia "Ymer Prizreni" në Graz të Austrisë

Këshilli i xhamisë “Ymer Prizreni” në Graz të Austrisë, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj xhamie, zhvilluan një aktivitet fetar ku dhe inauguruan ambientet e reja të saj. Kjo ceremoni mblodhi sëbashku përfaqësues nga bashkësia fetare e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Luginës së Preshevës dhe Pazarit të Ri (Sanxhakut). Në fjalën e tij hapëse, kryetari i xhamisë, z. Zemri Salija, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve ndau shkurtimisht historikun e jetës fetare dhe kontributin e besimtarëve në ndërtimin e xhamisë së re në këtë qytet. Më tej, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, në fjalën e tij të rastit, përgëzoi organizatorët për këtë tubim dhe theksoi rëndësinë e përhapjes së fjalës së Zotit në vendet perëndimore. “Ju përgëzoj për këto organizime shembullore që ju zhvilloni në vendet europiane ku jetoni e punoni bashkë me familjet tuaja, jo vetëm këtu në Austri, por edhe në Zvicër, Gjermani, Itali etj. Diaspora është pasqyrë e shkëlqyer e Islamit në këto troje. Dhe për këtë, është dëshmi ky tubim i sotëm, ku kremtohet 20 vjetori i themelimit të xhamisë Ymer Prizreni.” – u shpreh Kryetari Spahiu. Fjalë përshëndetëse mbajtën gjithashtu: z. Ymit Vural, z. Shaqir Fetahu, z. Vahidin Beluli, Dr. Mevludin Dudiq, Ibrahim Ahmeti, Dr. Selver Xhemaili dhe imami Dalip Aliu, të cilët vlerësuan angazhimin e vazhdueshëm të besimtarëve dhe përcollën mesazhe të shumta të paqeje, harmonije e bashkëpunimi. Pas përfundimit të kësaj ceremonie, të lartëpërmendurit prenë simbolikisht shiritin e përurimit dhe vizituan ambientin e brendshëm të xhamisë. Ndërtimi i xhamisë “Ymer Prizreni” u bë kryesisht me mbështetjen e besimtarëve, veçojmë këtu kontributin e nënkryetarit të kryesisë së kësaj xhamie, z. Arian Strazmiri. Gjatë kësaj vizite, kryetari Spahiu, shoqërohej nga nënkryetari, z. Taulant Bica dhe Drejtori i Vakf-Investimeve në KMSH, z. Edison Hoti.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 9