Niset grupi i parë i haxhinjve drejt viseve të shenjta, Mekës dhe Medinës

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përcolli në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës grupin e parë të haxhinjve shqiptarë për këtë vit, i përbërë nga 180 besimtarë, të cilët morën rrugën drejt viseve të shenjta, Mekës dhe Medinës, për të përmbushur një nga shtyllat themelore të Islamit – Haxhin.
Gjatë takimit të zhvilluar me besimtarët përpara nisjes, Kryetari Spahiu përcolli urimet dhe lutjet e tij më të sinqerta për një haxh të pranuar, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe dimensionin e lartë fetar që mbart ky udhëtim në jetën e çdo myslimani.
Në fjalën e tij, Kryetari i KMSH-së nënvizoi gjithashtu angazhimin maksimal të institucionit për garantimin e një organizimi sa më dinjitoz për të gjithë besimtarët shqiptarë, duke siguruar që çdo aspekt i këtij pelegrinazhi të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme, në përputhje me rëndësinë dhe madhështinë e Haxhit.
Këtë vit, nga Shqipëria do të udhëtojnë rreth 525 besimtarë drejt Arabisë Saudite për të kryer Haxhin, së bashku me miliona besimtarë të tjerë nga e gjithë bota.
Allahu (xh.sh.) u mundësoftë udhëtim të sigurt, adhurime dhe lutje të pranuara!
Galeria e Fotove
