Kur’ani – Dritë që arrin tek çdo zemër

Në ambientet e Qendrës Kulturore të Xhamisë “Riza Bajrami”, në Shkozet, u zhvillua një aktivitet i veçantë për dhurimin e Kur’anit Famëlartë, të përshtatur në format fizik dhe elektronik për personat me aftësi të kufizuara në shikim, falë mbështetjes së Qatar Charity Albania.
Në këtë aktivitet morën pjesë Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, Konsullja e Parë e Ambasadës së Katarit në Tiranë, znj. Wisam Xhufejri, Drejtori i Qatar Charity Albania, z. Karam Aly, së bashku me z. Gentian Mara, si dhe imami i Xhamisë “Riza Bajrami”, z. Anis Qafa.
Në fjalën e tij të rastit, Nënkryetari Luli vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qatar Charity Albania, të konkretizuar ndër vite përmes projekteve sociale, fetare dhe kulturore. Ai theksoi rëndësinë e kësaj nisme, e cila u mundëson kësaj kategorie besimtarësh të kenë akses më të lehtë në Kur’anin Famëlartë dhe në mësimet e tij.
Ndërsa Drejtori i Qatar Charity Albania, z. Karam Aly, shprehu kënaqësinë e këtij për realizimin e këtij projekti. Ai vlerësoi rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për përfshirje dhe akses në burimet fetare, duke i ftuar të pranishmit ta çmojnë këtë mundësi dhe ta shfrytëzojnë për t’u thelluar më tej në mësimet dhe udhëzimet e librit të shenjtë.
Në kuadër të kësaj nisme, 30 persona me aftësi të kufizuara në shikim u pajisën me kopje të Kur’anit Famëlartë, të përshtatura fizikisht dhe elektronikisht për nevojat e tyre, duke krijuar mundësi më të mira për leximin, dëgjimin dhe përvetësimin e Fjalës së Allahut.
Allahu (xh.sh.) i shpërbleftë të gjithë kontribuuesit dhe e bëftë këtë vepër të dobishme e të begatë!
Galeria e Fotove
