Kryetari Spahiu pret në një takim lamtumire Ambasadorin Hifdhi

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim lamtumire në ambientet e institucionit, Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Faisal Ghazi Hifdhi.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Spahiu shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm përgjatë gjithë mandatit të tij diplomatik në Tiranë, duke vlerësuar kontributin e dhënë në realizimin e një sërë projektesh fetare, social-kulturore dhe humanitare në shërbim të besimtarëve dhe komunitetit në tërësi.
Nga ana e tij, ambasadori Hifdhi vlerësoi marrëdhëniet institucionale të ndërtuara mbi korrektësi dhe respekt të ndërsjellë, duke falënderuar për bashkëpunimin e suksesshëm gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.
Takimi vijoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të hapur mbi çështje të ndryshme përgjatë këtyre pesë viteve të fundit të qëndrimit të tij në vendin tonë.
Në përmbyllje, kryetari Spahiu i dorëzoi ambasadorit një dhuratë simbolike, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka karakterizuar marrëdhëniet mes dy institucioneve tona.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i uron ambasadorit Hifdhi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të ardhshme në karrierën e tij diplomatike.
Galeria e Fotove
