Kryetari i KMSH-së merr pjesë në Procesin e Akabas në Jordani

Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Procesin e Akabas, një platformë ndërkombëtare të themeluar nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë dhe e bashkëorganizuar këtë vit me Republikën e Shqipërisë, nën kujdesin e Mbretit Abdullah II ibn Al-Hussein dhe Kryeministrit Edi Rama.
Në këtë takim të nivelit të lartë morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të komuiteteve fetare nga Shqipëria si,Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani,dhe Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Monsinjor Arjan Dodaj.
Takimi mblodhi udhëheqës fetarë nga Ballkani dhe Lindja e Mesme, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse për dialog, bashkëpunim dhe thellim të mirëkuptimit ndërfetar. Qëllimi i Procesit të Akabas është forcimi i bashkëjetesës, ndërtimi i besimit të ndërsjellë dhe zhvillimi i narrativave të përbashkëta që promovojnë paqe e stabilitet.
Gjatë aktivitetit, Kryetari Spahiu mbajti edhe një fjalë si referues, ku u ndal te sfidat globale që prekin rolin e fesë në shoqërinë moderne.
“Në një botë të trazuar, takime të tilla nuk janë luks apo formalitet; ato janë një nevojë strategjike për të mbrojtur shoqëritë nga ndasitë, gjuha e urrejtjes dhe dhuna,” u shpreh ai.
Ai vlerësoi nismat e Mbretërisë së Jordanisë dhe rolin aktiv të Mbretit Abdullah II në mbrojtjen e imazhit të vërtetë të Islamit dhe forcimin e dialogut ndërfetar. Në vijim, Kryetari Spahiu solli në vëmendje modelin unik shqiptar të bashkëjetesës fetare: “Shqipëria është një dëshmi e gjallë se diversiteti fetar është pasuri dhe jo pengesë. Ky model na obligon të jemi kontribues aktivë në nisma ndërkombëtare si Procesin e Akabas,” theksoi ai.
Kryetari i KMSH-së propozoi hapa konkretë për thellimin e bashkëpunimit ndërfetar, përfshirë krijimin e një platforme të përhershme komunikimi mes liderëve fetarë, programe të përbashkëta për të rinjtë kundër gjuhës së urrejtjes dhe iniciativat e përbashkëta edukative e kulturore që ndërtojnë besim dhe afrim mes komuniteteve.
Procesi i Akabas mbetet një ndër nismat më të rëndësishme ndërkombëtare për nxitjen e mirëkuptimit ndërfetar dhe ndërtimin e kohezionit mes shoqërive. Pjesëmarrja e Shqipërisë, përfshirë të tre komunitetet e saj të mëdha fetare, dëshmon angazhimin e vendit në promovimin e paqes, dialogut dhe vlerave të përbashkëta.
Galeria e Fotove
