--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
29 tetor 2026Lajme

Kryetari i KMSH-së merr pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për medresetë te shqiptarët

#KMSH#lajme
Kryetari i KMSH-së merr pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për medresetë te shqiptarët

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Medresetë te shqiptarët: histori - trashëgimi - kontribut”, të organizuar në Prishtinë nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame i Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Medresenë e Mesme “Alauddin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame.

Në hapje të konferencës morën pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, si dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, krahas përfaqësuesve të institucioneve fetare, akademike dhe shtetërore.

Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu u ndal në rolin historik të medreseve në formimin e brezave, në përcjelljen e dijes dhe në ndërthurjen e identitetit fetar me atë kombëtar dhe përgjegjësinë qytetare. Ai theksoi se medresetë kanë shërbyer si një urë ndërmjet trashëgimisë së së kaluarës dhe nevojave të reja të shoqërisë shqiptare.

Gjithashtu, Kryetari i KMSH-së vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve islame shqiptare në fushën e kërkimit shkencor, dokumentimit të trashëgimisë dhe zhvillimit të arsimit, duke theksuar nevojën që medresetë të ndërthurin formimin fetar dhe etik me përgatitjen bashkëkohore të brezave të rinj.

Nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë morën pjesë si referues edhe Dr. Elton Karaj, Drejtor i Institutit të Studimeve Islame “H. Sabri Koçi”, PhD. Ledian Cikalleshi, Myfti i Vorës, dhe Dr. Hysni Skura, Myfti i Matit. Në konferencë ishte i pranishëm gjithashtu edhe Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli.

Konferenca mblodhi rreth 60 studiues dhe referues, të cilët trajtuan historinë, trashëgiminë dhe kontributin e medreseve në jetën arsimore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.

Konferenca zhvillohet në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të Medresesë “Alauddin”, ndërsa punimet vijojnë përmes referimeve shkencore kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kontributit të medreseve shqiptare.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 14